Mbi 100 shtëpi janë shkatërruar nga një zjarr i përmasave të mëdha që ka përfshirë një zonë të banuar në Norvegji. Si pasojë, autoritetet kanë larguar nga banesat mbi 400 banorë.
Vatra e zjarrit u shfaq në Krokstadelva, pjesë e komunës së Drammenit. Flakët kanë zbritur me shpejtësi nga një kodër, duke u përhapur drejt banesave përreth.
Të lidhura
None found
Autoritetet norvegjeze bëjnë të ditur se deri në këtë fazë nuk janë raportuar viktima apo persona të zhdukur. Dy persona janë transportuar në spital pas problemeve të shkaktuara nga thithja e tymit, ndërsa një zjarrfikës ka marrë lëndime të lehta gjatë operacionit.
Në përballimin e situatës janë përfshirë mbi 100 zjarrfikës, helikopterë, forca policore, si edhe pjesëtarë të Forcave të Armatosura dhe Mbrojtjes Civile të Norvegjisë. Për frenimin e zjarrit, helikopterët kanë hedhur rreth 800 mijë litra ujë.
Drejtori i Agjencisë Norvegjeze për Mbrojtjen Civile dhe Planifikimin e Emergjencave e ka përshkruar ngjarjen si një prej zjarreve më të mëdha të shënuara në Norvegji në kohët moderne.
Sipas ekspertëve, temperaturat e larta, thatësira, ndërtesat prej druri dhe erërat e forta kanë krijuar kushtet që zjarri të përhapej me ritëm të shpejtë.
