Turqia embargo eksporti për 54 kategori produktesh kundër Izraelit, ministri i Jashtëm: Do të ketë pasoja

Turqia njoftoi sot vendosjen e embargos së eksportit ndaj Izraelit për 54 kategori produktesh, si reagim ndaj operacioneve të ushtrisë izraelite në luftën e Gazës.

Ministri i jashtëm i Izraelit ka reaguar pas vendimit dhe thotë se Izraeli do të përgjigjet.

Israel Katz tha se presidenti turk Tajip Erdogan “po sakrifikon sërish interesat ekonomike të popullit të Turqisë për të mbështetur Hamasin dhe ne do të përgjigjemi në përputhje me rrethanat”.

Ankaraja vendosi kufizime në eksportin e një numri produktesh nga sot në përgjigje të luftës në Gaza dhe në përgjigje të zemërimit në rritje të popullsisë turke për ruajtjen e marrëdhënieve tregtare midis Turqisë dhe Izraelit.

“Ky vendim do të mbetet në fuqi derisa Izraeli të deklarojë një armëpushim të menjëhershëm dhe të lejojë rrjedhën e vazhdueshme të ndihmave humanitare në Gaza ”, sqaroi në një deklaratë Ministria Turke e Tregtisë.

Kufizimet kanë të bëjnë me 54 produkte, duke përfshirë materiale ndërtimi çeliku, hekuri dhe alumini, si dhe karburantet e avionëve.

Ministria sqaron gjithashtu se “për disa kohë nuk lejohet shitja e produkteve dhe shërbimeve që mund të përdoren nga Izraeli për qëllime ushtarake” .

Njoftimi nga Ministria Turke e Tregtisë vjen pasi Ankaraja njoftoi se Izraeli kishte bllokuar një kërkesë turke për të hedhur ndihma humanitare në Rripin e Gazës.


Shtuar 9.04.2024 12:28