Autoritetet greke kanë nisur kërkimet për një turist të huaj, rreth 60-65 vjeç, pas një incidenti shqetësues të ndodhur në Agia Pelagia të Kretës.
Të lidhura
None found
Ngjarja u regjistrua më 31 korrik në kamerat e sigurisë së një biznesi turistik. Në atë moment, në ambient ndodhej edhe një vajzë 10-vjeçare, e cila ishte ulur dhe po lexonte një libër, sipas raportimeve të mediave greke.
Burri iu drejtua një gruaje që punonte në biznes dhe, duke bërë shenjë nga vajza, e pyeti: “Sa?”. Gjesteve të tij, sipas dëshmitarëve, iu kuptua qartë natyra e propozimit, raporton korrespondenti i Top Channel, Aleksandër Marku.
Pasi gruaja reagoi e revoltuar dhe kërkoi të dinte se çfarë po thoshte, turisti i bëri një propozim të ngjashëm edhe asaj. Pronari i biznesit i tha televizionit privat MEGA se personi kishte pyetur se sa duhej të paguante “për të blerë vajzën e vogël”.
Gruaja e paralajmëroi se do të njoftonte policinë, çka bëri që turisti të largohej menjëherë. Kur efektivët mbërritën në hotelin ku dyshohej se ai po qëndronte, burri nuk ndodhej më aty.
Burime nga policia bëjnë të ditur se turisti nuk pati asnjë kontakt apo komunikim të drejtpërdrejtë me 10-vjeçaren. Pavarësisht kësaj, autoritetet vijojnë përpjekjet për ta identifikuar dhe lokalizuar, pasi dyshohet se mund të përsërisë sjellje të ngjashme ndaj fëmijëve të tjerë.
Ndërkohë, mediat greke kanë publikuar qëndrime të ndryshme në lidhje me vendimin e familjes për të ndjekur ligjërisht çështjen.
