Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka deklaruar se vizita shtetërore e javës së ardhshme nga Mbreti Charles III dhe Mbretëresha Camilla mund të ndihmojë në përmirësimin e marrëdhënieve mes Shteteve të Bashkuara dhe Mbretërisë së Bashkuar.
Në një intervistë telefonike për BBC, Trump u shpreh optimist: “Absolutisht. Ai është fantastik. Një njeri fantastik. Përgjigjja është po”.
Të lidhura
None found
“E njoh mirë, prej vitesh. Është një njeri i guximshëm dhe i madh. Do të jetë patjetër diçka pozitive”, shtoi ai për monarkun britanik.
Vizita katërditore e Mbretit dhe Mbretëreshës nis të hënën dhe përfshin një takim me Trump në Shtëpinë e Bardhë. Gjatë qëndrimit në Uashington, Charles pritet të zhvillojë një takim privat me presidentin amerikan dhe të mbajë edhe një fjalim në Kongres.
Më pas, çifti mbretëror do të udhëtojë në Nju Jork, Virxhinia dhe Bermuda, përpara se të rikthehet në Mbretërinë e Bashkuar. Sipas autoriteteve britanike, vizita përkon me 250-vjetorin e pavarësisë së SHBA-së dhe synon të theksojë partneritetin historik mes dy vendeve.
Gjatë intervistës, Trump komentoi edhe raportin me kryeministrin britanik, Keir Starmer, duke lënë të kuptohet se marrëdhënia mes tyre është e tensionuar.
Sipas presidentit amerikan, Starmer mund të “rikuperohet” vetëm nëse ndryshon politikat për emigracionin dhe energjinë. “Nëse hap Detin e Veriut për naftë dhe gaz dhe forcon politikat e emigracionit, që aktualisht nuk janë të forta, ai mund të rikuperohet. Në të kundërt, nuk mendoj se ka shanse”, u shpreh Trump.
Ai ka bërë vazhdimisht thirrje që Britania të rrisë prodhimin e naftës dhe gazit në Detin e Veriut, ndërsa ka kritikuar gjithashtu qëndrimin e Londrës ndaj konfliktit me Iranin.
Trump u shpreh i pakënaqur me nivelin e mbështetjes nga aleatët, duke shtuar: “Nuk kisha nevojë për ta, por duhej të ishin aty”. Ai pretendoi gjithashtu se SHBA ka “shkatërruar ushtrinë iraniane”.
Nga ana tjetër, Starmer ka theksuar se Mbretëria e Bashkuar nuk do të përfshihet në një “luftë më të gjerë”.
