Donald Trump ka shtyrë për tri ditë zbatimin e tarifave të reja prej 50% mbi një numër të madh mallrash nga Kanadaja, ndërsa Uashingtoni dhe Otava po punojnë për të përmbyllur një marrëveshje tregtare.
Të lidhura
None found
Njoftimi i presidentit amerikan erdhi më pak se dy orë përpara hyrjes në fuqi të masës, e cila do të përfshinte importe kanadeze me vlerë rreth 20 miliardë dollarë.
“Kam pezulluar tarifat 50% ndaj Kanadasë, të cilat duhej të hynin në fuqi nesër në mëngjes, për një periudhë tre ditore, bazuar në faktin se Kanadaja dhe SHBA-ja, në pritje të finalizimit të dokumenteve, kanë një marrëveshje”, shkroi Trump në rrjetet sociale.
Gjatë kësaj jave, Trump dhe kryeministri i Kanadasë, Mark Carney, kanë biseduar dy herë. Ndërkohë, ekipet negociuese të të dyja vendeve po zhvillojnë diskutime intensive që prej korrikut.
Carney pranoi se palët kanë shënuar përparim të ndjeshëm, por nënvizoi se procesi nuk ka përfunduar ende.
“Është bërë përparim i konsiderueshëm, megjithëse ka ende punë të rëndësishme për t’u bërë”, deklaroi kryeministri kanadez.
Tarifat e paralajmëruara nga Trump do të zbatoheshin ndaj një game të gjerë mallrash kanadeze, mes tyre vera, produktet e bulmetit, çimentoja, veshjet dhe pajisjet e hokejit.
Këto masa do t’u shtoheshin detyrimeve doganore që SHBA-ja ka vendosur tashmë mbi çelikun dhe aluminin, automjetet dhe lëndën drusore që vijnë nga Kanadaja.
Zyra e Përfaqësuesit Tregtar të SHBA-së bëri të ditur se marrëveshja e mundshme parashikon hapje më të madhe të tregut kanadez për produktet amerikane, zotime në fushën e sigurisë ekonomike dhe harmonizim të qëndrimeve për tregtinë digjitale.
Njëkohësisht, Uashingtoni po kërkon heqjen e tarifave hakmarrëse kanadeze ndaj automjeteve amerikane. Në tryezë është gjithashtu ndryshimi i kuotave për produktet e bulmetit, me synimin që prodhuesit nga SHBA-ja të kenë qasje më të gjerë në tregun e Kanadasë.
Palët po trajtojnë edhe ndalimin e shitjes së alkoolit amerikan në disa provinca kanadeze. Këto masa u miratuan vitin e kaluar si përgjigje ndaj tarifave të vendosura nga Trump.
Një marrëveshje përfundimtare, sipas presidentit amerikan, mund të krijojë kushtet edhe për ringjalljen e projektit të gazsjellësit/naftësjellësit Keystone XL, që do të lidhte provincën kanadeze të Albertës me SHBA-në.
Keystone XL është kundërshtuar prej vitesh nga ambientalistët dhe grupet indigjene, ndërsa administratat Obama dhe Biden e kishin bllokuar projektin. Trump e cilësoi mundësinë e rikthimit të tij si nxjerrjen e Keystone XL nga “varri”.
Sipas Reuters, në orët e fundit të bisedimeve, negociatorët po shqyrtonin mundësinë që tarifat amerikane për automjetet kanadeze të uleshin nga 25% në 15%.
Megjithatë, SHBA-ja dhe Kanadaja nuk kishin arritur ende dakordësi mbi kategoritë e automjeteve që do të përfitonin nga kjo ulje. Uashingtoni kërkon që tarifa më e ulët të vlejë vetëm për makinat që përmbajnë një përqindje të lartë komponentësh të prodhuar në Amerikë.
Carney duhet të marrë edhe miratimin e provincave kanadeze për rikthimin në treg të alkoolit amerikan, pasi vendimmarrja për këtë çështje u takon autoriteteve provinciale dhe jo qeverisë federale.
Dhoma Amerikane e Tregtisë u ka kërkuar palëve të arrijnë një marrëveshje. Ajo ka paralajmëruar se rritja e tarifave do të dëmtonte ekonomitë e të dyja vendeve, do të shtonte shpenzimet për konsumatorët amerikanë dhe do të cenonte zinxhirët e furnizimit.
Me pezullimin treditor të tarifave, negociatorët e SHBA-së dhe Kanadasë fitojnë kohë shtesë për të mbyllur marrëveshjen tregtare që ka qenë objekt i diskutimeve të shumta.
