Donald Trump ka vijuar të këmbëngulë për idenë e tij lidhur me Ngushticën e Hormuzit, duke e rritur më tej tensionin me Iranin. Presidenti amerikan publikoi në rrjetet sociale një hartë ku kjo rrugë strategjike detare paraqitet si pjesë e territorit të Shteteve të Bashkuara.
Të lidhura
None found
Ngushtica e Hormuzit, e cila ndodhet në ujërat territoriale të Iranit dhe Omanit, është rruga përmes së cilës transportohet rreth 20 për qind e naftës në botë. Trump e përmendi për herë të parë të premten mundësinë e aneksimit të saj dhe duket se po e shtyn më tej këtë qëndrim, pavarësisht reagimit të ashpër nga regjimi i ajatollahëve.
“Ne e kontrollojmë atë përmes bllokadës dhe më pëlqen ideja për ta shpallur territor amerikan. Po nxjerrim miliona fuçi nafte në javë” përmes Ngushticës së Hormuzit. “Çmimet e naftës po bien dhe rënia do të vazhdojë nëse vendosim të bëjmë diçka shumë më drastike se ajo që po bëjmë aktualisht”, deklaroi ai. Irani i përshkroi këto deklarata si iluzione.
Zëvendësministri i Jashtëm iranian, Kazem Gharibabadi, tha se Shtetet e Bashkuara “nuk e pranojnë realitetin e humbjes”. Ai theksoi se, në fakt, është Republika Islamike ajo që vazhdon ta mbajë të bllokuar ngushticën dhe që kontrollon fatin e saj.
Teherani kërkon edhe zbatimin e kritereve të marrëveshjes së arritur mes Iranit dhe Shteteve të Bashkuara, duke e vendosur këtë si kusht për rihapjen e kanalit detar, përmes të cilit kalon 20% e furnizimeve globale me gaz dhe naftë.
