Telefonata e parashikuar për sot, më 9 shtator, mes kancelarit gjerman Friedrich Merz dhe presidentit amerikan Donald Trump është shtyrë me kërkesë të palës gjermane.
Të lidhura
None found
Vendimi u njoftua në Berlin nga zëdhënësi i qeverisë gjermane, Stefan Kornelius, gjatë një konference për shtyp.
Kontakti telefonik ishte planifikuar në kuadër të përvjetorit të 11 Shtatorit, por shtyrja ndodhi në një periudhë kur marrëdhëniet janë shoqëruar me tensione, pas komenteve të fundit të Trump mbi zhvillimet e politikës së brendshme në Gjermani.
Kornelius nuk bëri të ditur nëse shtyrja kishte lidhje me reagimin e presidentit amerikan ndaj zgjedhjeve në Saksoni-Anhalt, ku Alternativa për Gjermaninë (AfD), parti e ekstremit të djathtë, arriti një rezultat të fortë.
Sipas zëdhënësit gjerman, ndryshimi i planit nuk erdhi për shkak të angazhimeve të kancelarit në axhendë.
Debati u nxit nga një mesazh i Trump në platformën Truth Social, ku ai e cilësoi suksesin e AfD-së si një “mbrëmje vërtet të rëndësishme”.
Presidenti amerikan e lidhi forcimin e kësaj partie, ndër të tjera, me pakënaqësinë e qytetarëve gjermanë ndaj politikave të migracionit.
Trump përdori në të njëjtin postim edhe akronimin “MGGA”, një version gjerman i sloganit të tij “MAGA”, që përkthehet “Make America Great Again”. Në këtë rast, kuptimi ishte “Make Germany Great Again”.
Kur u pyet nëse komentet e presidentit amerikan kishin ndikuar në shtyrjen e telefonatës, Kornelius nuk dha një përgjigje të drejtpërdrejtë.
“Nuk kam asgjë për të shtuar në deklaratat e kancelarit dhe referencën e Merz për rendin e ditës”, tha ai.
Zëdhënësi rikujtoi se qeveria gjermane zakonisht nuk prononcohet për deklaratat e drejtuesve të huaj të shteteve apo qeverive. Megjithatë, ai përsëriti qëndrimin e kancelarit Merz se komentet dhe ndërhyrjet nga jashtë mbi zhvillimet politike të brendshme në Gjermani duhet të trajtohen me kujdes të veçantë.
Merz ka deklaruar se një ndërhyrje e tillë është e papërshtatshme dhe se i njëjti standard duhet të zbatohet edhe në kahun e kundërt.
Ndërsa telefonata u shty, kancelari gjerman shprehu mbështetje të qartë për Shtetet e Bashkuara, në prag të përvjetorit të sulmeve terroriste të 11 Shtatorit.
“Njëzet e pesë vjet më parë, Shtetet e Bashkuara mund të mbështeteshin në solidaritetin e plotë të Gjermanisë dhe Evropës. Edhe sot, Gjermania është e gatshme, së bashku me Shtetet e Bashkuara, të mbrojë vlerat që na përcaktojnë dhe na bashkojnë”, u shpreh Merz përmes zëdhënësit të tij.
Ai kujtoi se sulmet terroriste në Nju Jork, Uashington dhe Pensilvani u përjetuan edhe në Gjermani si një goditje ndaj vlerave të përbashkëta, lirisë dhe demokracisë.
Kancelari nënvizoi gjithashtu se bashkëpunimi transatlantik duhet të vijojë dhe se, së bashku me Shtetet e Bashkuara, duhet të mbrohen “liria, demokracia dhe respekti”.
