Donald Trump ka hapur një debat për zëvendësimin e emërtimit “Artificial Intelligence” (AI), duke u kërkuar përdoruesve të zgjedhin përmes votimit një term tjetër për teknologjinë që presidenti amerikan e cilëson si një ndër zhvillimet më të rëndësishme të kohëve të fundit.
Të lidhura
None found
Përmes një postimi në platformën e tij Truth Social, Trump deklaroi se termi “Artificial Intelligence” konsiderohet nga shumë njerëz si i pasaktë dhe jo elegant. Në vend të tij, ai propozoi tri alternativa: “Superior Intelligence” (SI), “Extreme Intelligence” (EI) dhe “Supreme Intelligence” (SI).
Presidenti amerikan i ftoi përdoruesit të shprehin me votë se cili emërtim do t’i përshtatej më mirë asaj që ai e ka përshkruar si një “revolucion” që po zhvillohet.
Nisma për riemërtimin është paraqitur në një kohë kur administrata Trump po ndërmerr masa të reja për zhvillimin dhe mbikëqyrjen e inteligjencës artificiale. Të shtunën, Trump njoftoi edhe synimin për krijimin e një “AI Force”, sipas modelit të “Space Force”, si dhe për emërimin e një këshilltari të ri presidencial për këtë teknologji, i cili do të njihet si “AI czar”.
Reuters raportoi se presidenti nuk shpjegoi mënyrën se si do të organizohen këto struktura të reja dhe as kompetencat që do t’u caktohen. Njoftimet bëhen ndërsa në SHBA po intensifikohet diskutimi për rreziqet që lidhen me inteligjencën artificiale dhe për format e nevojshme të mbikëqyrjes së zhvillimit të saj.
Trump e kishte ngritur edhe më herët idenë e ndryshimit të emrit. Në dhjetor 2025, ai përmendi mundësinë që AI të quhej “Supreme Intelligence”, duke deklaruar se këtë e kishte konsideruar gjithmonë një emërtim më të përshtatshëm.
