Një varkë që transportonte më shumë se 70 persona është përmbysur në shtetin Sokoto, në veriperëndim të Nigerisë, duke shkaktuar vdekjen e të paktën 40 fëmijëve. Ekipet e shpëtimit vijojnë kërkimet për trupat dhe dyshohet se bilanci tragjik mund të rëndohet.
Të lidhura
None found
Ngjarja ndodhi në orët e mëngjesit në zonën Gorau, pjesë e njësisë vendore Goronio. Varka po kalonte një përrua për të çuar fermerë, familje dhe punëtorë drejt fushave të orizit, ku do të angazhoheshin në mbjellje dhe korrje.
Banorë dhe burime lokale thanë se mjeti lundrues u përmbys pak pas nisjes. Në bord ndodheshin kryesisht fëmijë të moshës 10 deri në 15 vjeç, të cilët udhëtonin së bashku me familjarët dhe punëtorë të tjerë.
Abdulkadir Yusuf, zyrtar lokal i Autoritetit të Navigimit të Brendshëm, deklaroi se nga vendi i aksidentit janë nxjerrë rreth 40 trupa fëmijësh.
Kërkimet për personat e zhdukur po zhvillohen nga zhytësit dhe banorët e zonës. Ndërkohë, autoritetet po punojnë për të përcaktuar me saktësi numrin e njerëzve që ndodheshin në varkë.
Gazetari vendas Sarhambilou Yahouza Kilia, i cili ndodhej në vendngjarje, raportoi se gjashtë persona janë shpëtuar. Mes të mbijetuarve ishte edhe kryetari i fshatit, që raportohet të ketë qenë pasagjer në varkë.
“Deri më tani, kemi gjetur rreth 40 trupa, ndërsa gjashtë persona, përfshirë kryetarin e fshatit, janë shpëtuar”, tha ai. Operacioni i shpëtimit vijon, ndërsa zhytësit po kërkojnë si për të mbijetuar, ashtu edhe për trupa të tjerë.
Aksidentet fatale me varka janë të shpeshta në Nigeri, ku mjetet lundruese shpesh mbingarkohen dhe nuk plotësojnë kushtet e nevojshme të sigurisë. Në janar, të paktën 25 persona humbën jetën pasi një varkë u përmbys në shtetin Yobe, në verilindje të vendit.
