Një zjarr i përmasave tragjike përfshiu repartin e gjinekologjisë në Pakistan Institute of Medical Sciences (PIMS), në Islamabad, duke shkaktuar vdekjen e 14 foshnjave.
Të lidhura
None found
Kur flakët shpërthyen, në repart ndodheshin gjithsej 15 foshnja. Sipas raportimeve të mediave lokale, vetëm një prej tyre mundi të shpëtonte.
Ekipet e shpëtimit dyshojnë se zjarri u shkaktua nga shpërthimi i kompresorit të një kondicioneri që ndodhej brenda repartit.
Ngjarja u regjistrua rreth orës 07:00 të mëngjesit. Një dëshmitar, mbesa e të cilit ishte e shtruar në spital, deklaroi për gazetën Dawn se në ndërtesë po zhvilloheshin punime riparimi dhe rikonstruksioni.
Menjëherë pas nisjes së zjarrit, pacientëve iu dha urdhër të largoheshin nga ndërtesa. Gratë që kishin lindur pak kohë më parë u detyruan të zbrisnin me shpejtësi nga kati i dytë përmes shkallëve.
I themeluar në vitin 1985, PIMS konsiderohet spitali më i madh publik i Islamabadit dhe një ndër institucionet shëndetësore më të vjetra në kryeqytetin e Pakistanit.
Presidenti i Senatit të Pakistanit, Syed Yousuf Raza Gilani, shprehu keqardhjen për ngjarjen dhe përcolli ngushëllimet e tij për familjet që humbën të afërmit.
“Një situatë e tillë, që përfshin fëmijë, është e padurueshme”, u shpreh Gilani. Ai nënvizoi se spitalet duhet të jenë të pajisura me masa të përshtatshme sigurie, sisteme funksionale kundër zjarrit dhe procedura të qarta për përballimin e emergjencave.
Gjithashtu, ai kërkoi që shkaqet e zjarrit të hetohen plotësisht, duke paralajmëruar se çdo neglizhencë në zbatimin e masave të sigurisë është e papranueshme.
