Një punim rinovimi në një pronë në Flandrën Lindore të Belgjikës çoi në zbulimin e një pasurie të fshehur, e përllogaritur në rreth 9 milionë euro.
Të lidhura
None found
Gjatë ndërhyrjes për restaurimin e tubacioneve të kanalizimeve dhe shembjes së mureve në bodrum, ndërtuesit gjetën shufra ari dhe monedha të fshehura në themelet e ndërtesës.
Zbulimi ka hapur tashmë çështjen e pronësisë. Nëse nuk shfaqet pronari i ligjshëm, thesarin mund ta kërkojnë si kontraktorët që e gjetën, ashtu edhe organizata lokale bamirëse që zotëron tokën.
Studenti i identifikuar si Kobe i tha transmetuesit publik belg VRT se reagimi i parë i punëtorëve ishte mosbesimi dhe befasia.
“Në fillim mendova se ishin monedha 1 euro. Por më pas vumë re një copë ari. Në atë moment kuptuam se bëhej fjalë për diçka shumë më të madhe”, tregoi ai.
Studenti dhe drejtuesi i kantierit vendosën të mos e mbanin të fshehtë gjetjen dhe njoftuan policinë.
Ndërtesa i përket aktualisht CAW Oost-Vlaanderen, një organizatë që ofron mbështetje sociale në Dedmonton, komunitet flamand me rreth 47,000 banorë.
Drejtori i organizatës, Gert Hillaert, e përshkroi reagimin e tij të parë si “habi”, ndërsa shprehu shpresën që ari të përdoret në ndihmë të veprimtarisë bamirëse dhe të përballojë “nevojën e madhe që përjetojmë çdo ditë”.
Policia ka vendosur në profilin e saj në Facebook fotografinë e një monedhe ari, duke deklaruar se shpreson që thesari të përfundojë në “vendin e duhur”. Në të njëjtën kohë, ajo u bëri të ditur gjuetarëve të mundshëm të arit se pasuria ishte transferuar në një vend të sigurt.
Sipas ligjit belg, pronari i ligjshëm ka pesë vjet për të kërkuar thesarin. Megjithatë, prokurori vendas, i cili ka hapur një hetim, tha se ende nuk dihet se kush mund të jetë ky person.
Nëse brenda kësaj periudhe nuk paraqitet askush, ligji civil parashikon që një thesar i fshehur në pronën e një personi tjetër të ndahet mes gjetësit dhe pronarit të pronës, në rast se konstatohet se nuk ka lidhje me veprimtari kriminale.
Ndërtuesit dhe organizata bamirëse duhet të presin deri në 1,823 ditë për të parë nëse do të shfaqet pronari i ligjshëm.
