Të paktën 12 persona janë vrarë pasi dy persona të armatosur hapën zjarr ndaj një turme në Bondi Beach rreth orës 18:47 të së dielës. 29 persona të tjerë u plagosën dhe u dërguan në spital, mes tyre edhe dy efektivë policie. Njëri prej autorëve është mes viktimave. Kjo është ngjarja më vdekjeprurëse me armë zjarri në Australi që nga masakra e Port Arthurit në vitin 1996
Mbi 1,000 persona ishin mbledhur për të festuar ditën e parë të Hanukkahut, festës hebraike. Bondi Beach ndodhet në periferinë lindore të Sidneit dhe konsiderohet zemra e komunitetit hebre. Policia e Uellsit të Ri Jugor e ka shpallur ngjarjen si akt terrorist.
Policia konfirmoi se një i dyshuar është ndaluar dhe ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore, ndërsa një tjetër është vrarë në vendngjarje. Autoritetet po hetojnë edhe mundësinë e përfshirjes së një personi të tretë. Njëri prej sulmuesve ishte i njohur për autoritetet.
Të dielën në mbrëmje, policia po hetonte gjithashtu raportime për një mjet shpërthyes pranë plazhit. Komisioneri i Policisë së Uellsit të Ri Jugor, Mal Lanyon, konfirmoi se një pajisje shpërthyese artizanale ishte gjetur në një automjet.
Kreu i ASIO-s, Mike Burgess, deklaroi se niveli i kërcënimit terrorist në Australi mbetet “i mundshëm”, që do të thotë se ekziston mbi 50% mundësi për një sulm ose planifikim sulmi brenda territorit në 12 muajt e ardhshëm. “Nuk shoh arsye që kjo të ndryshojë në këtë fazë”, tha Burgess për gazetarët në Kanberra.
Pak pasi filloi sulmi, në rrjetet sociale u shpërndanë pamje tronditëse me persona të vrarë ose të plagosur, si edhe video që tregonin akte të jashtëzakonshme guximi nga kalimtarë që tentuan të ndalonin autorët. Një video tregon një qytetar që i hidhet nga pas një sulmuesi, e rrëzon dhe i merr armën nga duart. Persona të tjerë u panë duke kryer ndihmën e parë dhe CPR për të plagosurit në plazh.
Një kapelan hebre, i mbuluar me gjak, foli për përpjekjet për të shpëtuar jetë mes skenave të tmerrshme, ku disa persona ishin qëlluar në kokë. Njerëzit u përpoqën të largoheshin, por disa të moshuar nuk ishin në gjendje të vraponin.
Kryeministri Anthony Albanese i përshkroi pamjet si “tronditëse dhe shqetësuese”. “Mendimet e mia janë me çdo person të prekur,” tha ai. Pas sulmit, ai thirri një mbledhje emergjente të Komitetit të Sigurisë Kombëtare të kabinetit.
Albanese mori një raport paraprak nga zëvendëskomisioneri në detyrë i Policisë Federale Australiane, Nigel Ryan, dhe nga kryeministri i Uellsit të Ri Jugor, Chris Minns, i cili gjithashtu thirri një mbledhje emergjente të kabinetit shtetëror. Kryeministri u mbrojt ndaj kritikave se nuk kishte marrë mjaftueshëm seriozisht antisemitizmin.
“Australia është më e fortë se ata që kërkojnë të na frikësojnë. Do të ketë drejtësi dhe do ta kalojmë këtë së bashku,” u shpreh Albanese.
“Ka net që plagosin shpirtin e kombit tonë në këto momente errësire. Duhet të jemi drita e njëri-tjetrit dhe të mbajmë fort vlerat e vërteta të vendit që duam.”
Në një konferencë për shtyp të dielën në mbrëmje, Minns tha se “ky akt frikacak i dhunës terroriste është tronditës dhe i dhimbshëm, dhe përfaqëson një nga frikërat tona më të mëdha për terrorizmin në Sidnei”. Ai u bëri thirrje australianëve të “qëndrojnë pranë” komunitetit hebre dhe vlerësoi si solidaritetin e treguar, ashtu edhe aktet e jashtëzakonshme të guximit pas sulmit.
Lanyon bëri thirrje për qetësi, duke theksuar se “ky nuk është moment për hakmarrje”. Ai siguroi se autoritetet do të hetojnë çdo pistë për të vënë para drejtësisë përgjegjësit dhe për të parandaluar sulme të tjera. “Kjo lloj veprimtarie e turpshme dhe përdorimi i dhunës ndaj qytetarëve të pafajshëm janë të papranueshme për Uellsin e Ri Jugor,” tha ai.
Deputetja e pavarur federale Allegra Spender, e cila përfaqëson zonën e Bondit në distriktin Ëentëorth, shprehu gjithashtu tronditjen dhe dhimbjen e saj.
Edhe liderja e opozitës, Sussan Ley, reagoi duke thënë se “Australia është në zi të thellë sonte, pasi dhuna e mbushur me urrejtje goditi në zemër të një komuniteti ikonë australian, Bondin”.
“Sot qëndrojmë së bashku si australianë kundër urrejtjes në këtë moment tragjik,” u shpreh ajo.
Në një deklaratë, presidenti i Izraelit, Isaac Herzog, tha se “zemra jonë ndalet për një çast”. Ai i bëri thirrje qeverisë australiane të ndërmarrë veprime kundër “valës së madhe të antisemitizmit që po përfshin shoqërinë australiane”. Këshilli i Imamëve të Australisë dënoi ashpër sulmin.
“Këto akte dhune dhe krime nuk kanë vend në shoqërinë tonë. Ata që janë përgjegjës duhet të mbajnë përgjegjësi të plotë dhe të përballen me forcën e plotë të ligjit. Zemrat, mendimet dhe lutjet tona janë me viktimat, familjet e tyre dhe të gjithë ata që u prekën ose dëshmuan këtë sulm thellësisht traumatizues”, thuhet në deklaratë.
