Përplasja diplomatike ndërmjet Uashingtonit dhe qeverisë së presidentit Luiz Inácio Lula da Silva është thelluar pasi administrata e Donald Trump i anuloi vizën ambasadores së Brazilit në SHBA, Maria Luiza Ribeiro Viotti.
Të lidhura
None found
Departamenti Amerikan i Shtetit e paraqiti këtë masë si reagim ndaj dy vendimeve të Brazilit: refuzimit për të miratuar Daniel Perez si kandidatin e Trump për ambasador në Brasília dhe moslëshimit të vizave për dy diplomatë amerikanë që synonin të udhëtonin drejt Brazilit përpara zgjedhjeve të tetorit.
Zyrtarët amerikanë bënë të ditur se viza e Maria Luiza Ribeiro Viotti mund të rivendoset nëse autoritetet braziliane pranojnë emërimin e Perezit. Uashingtoni paralajmëroi njëkohësisht se, në mungesë të një zgjidhjeje, mund të ndërmerren edhe veprime të tjera diplomatike.
Vendimi u kundërshtua nga qeveria braziliane, e cila e konsideroi atë pjesë të presionit të ushtruar ndaj Brazilit dhe një tentativë për të ndikuar mbi procesin zgjedhor.
Zyra e presidentit Lula deklaroi se bëhet fjalë jo për një ngjarje të veçuar, por për një përshkallëzim të paramenduar të masave armiqësore kundër Brazilit.
Zgjedhjet presidenciale braziliane janë gjithashtu në qendër të tensioneve mes dy shteteve. Lula pritet të synojë një tjetër mandat, përballë senatorit Flávio Bolsonaro, djalit të ish-presidentit Jair Bolsonaro dhe aleat politik i Trump.
Gjatë muajve të fundit, raportet ndërmjet Uashingtonit dhe Brasília-s janë rënduar edhe nga çështje të tjera, mes të cilave tarifat e vendosura nga SHBA-ja ndaj eksporteve braziliane, mospajtimet lidhur me Venezuelën dhe Kubën, si dhe pretendimet për ndërhyrje në proceset politike.
Pavarësisht tensioneve, Departamenti Amerikan i Shtetit theksoi se objektivi vazhdon të jetë rivendosja me Brazilin e një marrëdhënieje “normale, produktive dhe transparente”.
