Administrata e presidentit Donald Trump ka zgjedhur të mos kundërshtojë nismën e Britanisë së Madhe për vendosjen e sanksioneve të reja ndaj vendbanimeve izraelite në Bregun Perëndimor të pushtuar. Sipas Axios, vendimi është konfirmuar nga zyrtarë amerikanë dhe diplomatë perëndimorë.
Të lidhura
None found
Nisma britanike, e mbështetur nga 11 vende të tjera perëndimore, synon individë dhe subjekte që lidhen me ndërtimin e vendbanimeve izraelite në territorin e pushtuar. Masat parashikojnë gjithashtu kufizime për importin e mallrave të prodhuara në këto vendbanime.
Fakti që Shtëpia e Bardhë nuk ndërhyri për ta ndalur këtë proces po interpretohet si tregues i pakënaqësisë së Donald Trump ndaj politikës së qeverisë së Benjamin Netanyahu-t në Bregun Perëndimor.
Vendimi i Londrës u mor pasi qeveria Netanyahu avancoi projektin për një vendbanim të ri në zonën E1, një nga hapësirat më të ndjeshme të Bregut Perëndimor. Kritikët paralajmërojnë se ndërtimi atje mund ta ndajë territorin e Bregut Perëndimor dhe ta bëjë më të vështirë krijimin e një shteti palestinez me vazhdimësi territoriale.
Britanisë së Madhe iu bashkuan Kanadaja, Danimarka, Finlanda, Franca, Islanda, Irlanda, Norvegjia, Polonia, Portugalia, Spanja dhe Suedia.
Në deklaratën e përbashkët, 12 vendet thanë se synojnë të vendosin kufizime në nivel kombëtar dhe/ose të mbështesin masa evropiane kundër tregtisë së mallrave që vijnë nga vendbanimet izraelite në Bregun Perëndimor të pushtuar.
Zona E1 ka qenë prej shumë vitesh në qendër të vëmendjes ndërkombëtare. Administratat amerikane, republikane dhe demokrate, tradicionalisht i kanë kundërshtuar ndërtimet izraelite në këtë territor, duke vlerësuar se ato mund të dëmtojnë perspektivën për krijimin e një shteti palestinez.
Qeveria izraelite e Benjamin Netanyahu-t e ka dënuar ashpër masën e marrë nga Britania e Madhe. Si kundërpërgjigje, Izraeli ka bërë të ditur se do të mbyllë konsullatën britanike në Jerusalemin Lindor, e cila është përgjegjëse për marrëdhëniet me Autoritetin Palestinez.
Tel Avivi ka njoftuar gjithashtu dëbimin e diplomatëve dhe zyrtarëve ushtarakë britanikë që marrin pjesë në një task-forcë për Gazën, të drejtuar nga Shtetet e Bashkuara.
Zhvillimet sinjalizojnë një përplasje të re diplomatike mes Izraelit dhe aleatëve të tij perëndimorë për çështjen e vendbanimeve në Bregun Perëndimor. Mosbllokimi i nismës britanike nga administrata Trump mund të jetë shenjë e një qëndrimi më kritik të Uashingtonit ndaj politikave të qeverisë Netanyahu.
