Një 43-vjeçar është arrestuar nga policia zvicerane nën dyshimin se është përfshirë në të shtënat me armë zjarri në një festë rave në Aarau, në kantonin Aargau. Nga sulmi mbeti e vrarë 22-vjeçarja italiane Maria Spinelli.
Të lidhura
None found
Ngjarja ndodhi të dielën në mëngjes, pak pas orës 02:30, në hipodromin Schachen. Përveç viktimës, pesë persona të tjerë u plagosën.
Sipas policisë së Aargaut, autoritetet besojnë se i dyshuari ka vepruar i vetëm, ndërsa arrestimi i tij u realizua gjatë natës, rreth orës 01:00. Ndalimi u bë publik të hënën.
Hetuesit po përpiqen të përcaktojnë saktësisht rrethanat e sulmit, motivin dhe mënyrën e zhvillimit të tij. Raportimet paraprake bëjnë të ditur se të shtënat mund të jenë kryer në dy zona të ndryshme, duke përdorur një pistoletë 9 mm dhe një pushkë sulmi.
Fillimisht, disa dëshmitarë ngritën dyshimet se në ngjarje mund të ishin përfshirë dy autorë. Megjithatë, hetuesit nuk e përjashtojnë mundësinë që të dyja armët të jenë përdorur nga një person i vetëm.
Dy prej të plagosurve janë shtetasit italianë Fabrizio Grande dhe Lorenzo Lombardo. Sipas mediave italiane, ata u trajtuan për dëmtime të lehta dhe më pas u larguan nga spitali.
Familja e Maria Spinellit po pret përfundimin e procedurave ligjore dhe autopsisë, përpara se të udhëtojë drejt Zvicrës. Hetimi mbetet në vijim, ndërsa autoritetet pritet të bëjnë publike të tjera të dhëna gjatë ditëve në vazhdim.
