Tajlanda është përfshirë nga një ngjarje tragjike, pasi një nxënës vrau gjyshërit në banesën e tyre dhe më pas sulmoi me armë shkollën ku ndiqte mësimet, duke lënë pas viktima dhe dhjetëra të plagosur.
Të lidhura
None found

Pas krimit në shtëpinë e gjyshërve, autori mori armën e regjistruar në emër të gjyshit të tij, i cili kishte qenë më parë mësues, dhe u drejtua drejt një shkolle në periferi të Bangkokut, ku nisi të qëllonte.

Sipas të dhënave të autoriteteve, gjatë sulmit u qëlluan 26 fishekë, ndërsa në vendin e ngjarjes u sekuestruan edhe 34 fishekë të tjerë.

Ministria e Shëndetësisë njoftoi se 22 persona u plagosën. Nëntë prej tyre ndodhen në gjendje kritike, ndërsa disa të tjerë pësuan dëmtime teksa përpiqeshin të largoheshin nga zona e sulmit, pa u goditur drejtpërdrejt nga plumbat.
Zëvendësministri i Brendshëm bëri të ditur se viktimat mes stafit pedagogjik janë pesë mësues, duke përditësuar bilancin e parë që raportonte gjashtë të vdekur.

Shkaku që e çoi autorin drejt këtij sulmi mbetet ende i paqartë. Zëdhënësi i policisë, Trairong Phiwphan, tha se arma dyshohet të jetë marrë nga një familjar i autorit, ndërsa puna për dokumentimin e plotë të ngjarjes dhe përcaktimin e motivit vazhdon.
