Autoritetet tajlandeze kanë arrestuar ish-deputetin Chalong Reawraeng, i cili dyshohet se qëlloi me armë ndaj një zyrtari të qeverisjes lokale dhe më pas telefonoi drejtuesin e një emisioni në YouTube për t’i rrëfyer sulmin.
Të lidhura
None found
Viktima, Thongchai Yenprasert, president i Organizatës Administrative Provinciale të Nonthaburi-t, u transportua në spital pas plagosjes me armë zjarri. Në të njëjtin spital ndodhet edhe shoferi i tij, i cili mbeti gjithashtu i plagosur. Sipas raportimeve të mediave lokale, gjendja shëndetësore e të dyve është e rëndë.
Hetimet e para sugjerojnë se pas ngjarjes mund të fshihet një përplasje personale mes ish-ligjvënësit dhe zyrtarit. Sulmi ka shkaktuar tronditje në vend, veçanërisht pasi ndodhi vetëm pak ditë pas një tjetër incidenti të rëndë me armë në provincën e njëjtë.
Tre ditë përpara të shtënave të së hënës, një 14-vjeçar sulmoi me armë shtëpinë dhe shkollën e tij në Nonthaburi. Fillimisht, ai vrau gjyshërit në banesë, ndërsa më pas qëlloi ndaj mësuesve dhe nxënësve në ambientet e shkollës. Adoleshenti i dha fund jetës më vonë. Në total, shtatë persona humbën jetën, duke e bërë këtë sulm më vdekjeprurësin e këtij lloji në Tajlandë që prej vitit 2022.
Sipas të dhënave të deritanishme të hetimit, sjellja e 14-vjeçarit mund të jetë ndikuar nga ekspozimi ndaj materialeve të dhunshme në rrjetet sociale, presioni i lidhur me studimet, vështirësitë familjare dhe konfliktet me bashkëmoshatarët.
Ndërkohë, në çështjen ku përfshihet ish-deputeti, autoritetet po përpiqen të zbardhin motivin personal që dyshohet se ka çuar në sulm.
