Dy persona humbën jetën dhe nëntë të tjerë rezultojnë të zhdukur si pasojë e sulmeve të reja ajrore ruse, ndërsa numri i viktimave nga goditja e dyfishtë me dronë në një qendër tregtare në Kryvyi Rih një ditë më parë ka arritur në 16.
Të lidhura
None found
Autoritetet lokale njoftuan se një prej viktimave u shënua në kryeqytetin Kiev, ku një zjarr shpërtheu në një depo pas një alarmi për raketë balistike. Viktima tjetër u regjistrua në Zaporizhzhia, gjatë një sulmi me dron në orët e para të mëngjesit të së shtunës.
Ministria ruse e Mbrojtjes konfirmoi se forcat e saj kryen sulme masive, duke vënë në shënjestër depot dhe infrastrukturën e transportit.
Sulmet e së shtunës erdhën vetëm një ditë pas goditjes vdekjeprurëse me dy dronë në një qendër të mbushur me njerëz në Kryvyi Rih. Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky e dënoi ashpër atë që e quajti “sulm absolutisht cinik dhe të neveritshëm”.
Sipas Zelenskyt, sulmi në vendlindjen e tij u zhvillua në dy etapa, ku vala e dytë kishte në objektiv ekipet e shpëtimit që po ndërhynin pas goditjes së parë.
Nga sulmi në qendrën tregtare mbetën të plagosur rreth 130 persona, mes tyre 23 fëmijë. Autoritetet paralajmëruan se mund të ketë ende trupa nën rrënoja.
Kreu i administratës rajonale të Dnipropetrovskit, Oleksandr Hanzha, njoftoi herët të shtunën se numri i të vdekurve ishte rritur në 16, pasi u gjet një trup tjetër nën gërmadha. Sipas tij, nëntë persona, përfshirë dy fëmijë, vijojnë të jenë të zhdukur.
Më herët, autoritetet kishin bërë të ditur se 29 nga 130 të plagosurit ndodhen në gjendje kritike, duke shtuar frikën se bilanci mund të rritet më tej. Për të përshpejtuar kërkimet, ekipe shpëtimi nga katër rajone të tjera të Ukrainës janë dërguar në zonë.
Kryetari i bashkisë së Kryvyi Rih, Oleksandr Vilkul, deklaroi se dronët rusë fluturonin në lartësi jashtëzakonisht të ulëta dhe i cilësoi sulmuesit si “kafshë”. Ai shtoi se disa nga të zhdukurit nuk po u përgjigjen thirrjeve telefonike.
Në Kiev, administrata ushtarake raportoi se zjarri në depon e lagjes Darnytskyi shpërtheu në orët e para të së shtunës. “Sipas informacioneve paraprake, fatkeqësisht kemi një person të vdekur dhe disa të plagosur,” thuhej në njoftim.
Ndërkohë, në Zaporizhzhia, një dron rus shkaktoi vdekjen e një burri dhe plagosjen e katër personave të tjerë, sipas Ivan Fedorov, kreut të administratës ushtarake rajonale.
Në jug të vendit, në rajonin e Mykolaivit, katër persona, përfshirë tre fëmijë, humbën jetën të premten nga sulme të veçanta ruse. Dy të tjerë u vranë në rajonin verilindor të Kharkivit, konfirmuan zyrtarët lokalë.
Një ditë më parë, të enjten, një tjetër sulm masiv rus me raketa dhe dronë në Kiev la pas 17 të vdekur dhe më shumë se 40 të plagosur.
Në anën tjetër, ushtria ukrainase deklaroi të premten se kishte goditur një rafineri nafte dhe një aeroport ushtarak në territorin rus. Kievi ka shtuar muajt e fundit sulmet ndaj infrastrukturës energjetike ruse dhe depove të Wildberries, kompanisë më të madhe të shitjeve online në Rusi, duke i konsideruar këto objektiva legjitime që ndihmojnë në financimin e luftës.
