Sulme dhe atentate, komandot sekrete që po luftojnë ndaj Putinit

Nga Federico Giuliani “Il Giornale

Përktheu: Alket Goce-AlbEu.com

Një rrjet luftëtarësh në hije, të cilët ndajnë një urrejtje të përbashkët ndaj Vladimir Putinit. Një grup njerëzish, ose ndoshta do të ishte më saktë të thuhej një komando, e përbërë nga anëtarë misteriozë dhe që janë shumë të aftë të kryejnë operacione të bujshme në mes të ditës. Një protagonist i ri është shfaqur në luftën në Ukrainë:një aktor që duket se nuk i përgjigjet asnjë skenari, por veprimet e të cilit rrezikojnë të nxisin përshkallëzime të rrezikshme ushtarake.

Një komando që vepron në hije

“New York Times” ka vënë në qendër të vëmendjes së saj komandon misterioze. Gazeta amerikane iu referua të dhënave të konfirmuara nga inteligjenca amerikane sipas të cilës pas sabotimit që dëmtoi tubacionet e gazit Nord Stream më 25 shtator të vitit të kaluar, qëndron një grup njerëzish që nuk jep llogari as para qeverisë ruse dhe as asaj ukrainase.

Ai mund të përbëhet nga ukrainas dhe rusë, por në çdo rast është një grupim pro-ukrainas. Për momentin nuk dihet më shumë. Në rast se do të konfirmohej ky lajm zyrtarisht, atëherë kjo do të thoshte se ekziston një ent autonom i gatshëm të kryejë sulme dhe atentate të bujshme. Zbulimet e publikuara nga mediat amerikane nuk na lejojnë ta kuptojmë me siguri se kush qëndron prapa kësaj komandoje hipotetike apo nga kush financohet ajo. Sepse deri më tani

nuk është shfaqur asnjë element që do ta lidhte atë drejtpërdrejt me komandën e lartë të presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky. Por kjo lidhje nuk duhet të përjashtohet menjëherë dhe me siguri të plotë.

Një variabël i çmendur

Duke gjykuar nga sabotimi i dy tubacioneve nënujore të gazsjellësit më të rëndësishëm në Evropë, është e qartë se bëhet fjalë për një komando të përbërë nga njerëz me përvojë dhe të stërvitur shumë mirë. Dhe mbi të gjitha të pajisur me mjete ushtarake të teknologjisë së fundit.

Dhe kjo shpjegon arsyen pse për muaj të tërë asnjë agjenci perëndimore e inteligjencës nuk arriti të zbulonte se kush ishte autori i sabotimit kundër “Nord Stream”. Siç e ka theksuar edhe gazeta italiane “La Repubblica”, agjencitë amerikane flasin për një grup zhytësish profesionistë, të pajisur me aftësitë e nevojshme për të përdorur eksplozivë, por që nuk i përkasin shërbimeve sekrete apo forcave të armatosura. Pra fjala është për sabotatorë privatë, të cilët falë informacioneve, mjeteve dhe financimit e kanë dëmtuar rëndë gazsjellësin evropian.

Dyshimet mbi Kievin

Ndërsa presim të mësojmë më shumë, kanë filluar të shfaqen disa dyshime legjitime për Kievin. Ka vende si Shtetet e Bashkuara, të cilët kanë filluar të bashkojnë shumë pjesë të mozaikut të enigmës më të madhe ende të pazgjidhur që nga shpërthimi i luftës.

Por edhe sulmet e befasishme në territorin rus, sulmi në Urën e Kerçit, vrasja e Daria Duginas, vajzës së ideologut ultra-nacionalist rus Alexander Dugin. Mesa duket Uashingtoni nuk ka ditur asgjë mbi këto dhe shumë operacione të tjera të kryera nga ushtria ukrainase dhe agjentët sekretë.

Do të ishte interesante të zbulohej se përse qeveria ukrainase nuk e informoi kurrë administratën e udhëhequr nga Joe Biden, pra partneren e saj kryesore, duke vendosur të ndërmarrë në mënyrë të pavarur sulme që mund të kishin shkaktuar edhe një përgjigje bërthamore nga ana e presidentit rus.

Rreziku i një përshkallëzimi

Ekzistojnë 2 përgjigje të mundshme lidhur me këtë çështje:rrënjët sovjetike të shërbimeve ukrainase që do t’i bënin ata jashtëzakonisht mosbesues ndaj të gjithëve, përfshirë amerikanët, dhe hipoteza se Zelensky nuk e ka plotësisht nën kontroll situatën, sidomos ndaj disa strukturave të ushtrisë dhe segmenteve të qeverisë ukrainase.

Dhe kjo nuk do të ishte e habitshme. Tek e fundit, në ushtrinë ukrainase ekzistojnë formacione autonome, siç është Brigada Azov, në një kohë që në shërbimin sekret të ushtrisë diversantët kanë vepruar vazhdimisht prapa linjave të armikut.

Cilido që është pjesë e komandos-hije të lartpërmendur – ndoshta i punësuar nga ndonjë vend armiqësor ndaj Moskës apo edhe një rrjet neo-nazistësh ukrainas dhe rusë – po e zemëron shumë qeverinë amerikane. Shtetet e Bashkuara të Amerikës e dinë se Putin është nën presion nga më radikalët brenda rrethit të tij. Dhe përballë provokimeve të tilla, ai mund të reagojë në një mënyrë shumë të dhunshme. /albeu.com


Shtuar 9.03.2023 16:25