Gjatë natës, forcat ukrainase dyshohet se kanë shënjestruar një prej rafinerive më të mëdha ruse të naftës, si edhe një bazë ajrore ushtarake, sipas të dhënave të publikuara nga kanalet monitoruese.
Të lidhura
None found
Rafineria e Kirishit, e vendosur në rajonin e Leningradit dhe e njohur me emrin Kinef, u përfshi nga zjarri pas një sulmi të dyshuar me dronë. Impianti është ndër pikat kryesore të përpunimit të naftës në Rusi dhe është prekur nga sanksionet e Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve të Ukrainës.
Guvernatori i Leningradit, Aleksandr Drozdenko, deklaroi se një dron ra pranë rafinerisë dhe se më pas shpërtheu një zjarr. Ai tha gjithashtu se sistemet ruse të mbrojtjes ajrore rrëzuan 62 dronë mbi rajon. Deri tani nuk është bërë e ditur shkalla e dëmeve dhe as nëse ka viktima. Ndërkohë, shpërthime të fuqishme u raportuan në bazën ajrore të Jejskut, në rajonin e Krasnodarit.
Prani dronësh u raportua edhe në rajonet e Smolenskut dhe Brianskut, ndërsa nuk dihet nëse atje janë goditur objektiva të tjera. Kievi nuk ka dalë ende me një konfirmim zyrtar për operacionin, ndërsa informacionet e publikuara nga terreni nuk janë verifikuar në mënyrë të pavarur.
Sulmet e fundit ndodhën një ditë pas goditjeve ukrainase ndaj objektivave në Rostov dhe disa instalimeve ushtarake ruse në territoret e pushtuara. Mes tyre ishin qendrat për ruajtjen dhe lëshimin e dronëve në Donetsk dhe në Krimenë e aneksuar.
Ukraina i përfshin sulmet në thellësi të territorit rus në strategjinë e saj për të dobësuar aftësinë e Moskës për të vijuar luftën.
