Për pjesën më të madhe të të rriturve të shëndetshëm, pirja e kafesë në mënyrë të moderuar nuk paraqet rrezik për shëndetin. Përkundrazi, ajo mund të shoqërohet me disa efekte pozitive.
Të lidhura
None found
Të dhënat më të fundit tregojnë se deri në 400 miligramë kafeinë në ditë përbëjnë një nivel të sigurt për shumicën e të rriturve. Kjo sasi është e barasvlershme me rreth tre deri në pesë filxhanë kafe filtri, ndërsa niveli i kafeinës mund të ndryshojë sipas llojit të kafesë dhe mënyrës së përgatitjes.
Agjencia Europiane e Sigurisë Ushqimore (EFSA) vlerëson se një filxhan me 200 mililitra kafe të filtruar përmban afërsisht 90 miligramë kafeinë. Ndërsa një ekspres prej 60 mililitrash ka rreth 80 miligramë. Kafeja është objekt studimi prej më shumë se 150 vjetësh dhe qëndrimi ndaj saj ka ndryshuar ndër vite. Sipas një sërë kërkimesh, konsumimi i moderuar mund të lidhet sot me një rrezik më të ulët për sëmundjet e zemrës dhe enëve të gjakut.
Gjithsesi, specialistët nënvizojnë se një pjesë e madhe e këtyre përfundimeve mbështetet në studime vëzhguese. Ato evidentojnë një lidhje mes pirjes së kafesë dhe gjendjes shëndetësore, por nuk dëshmojnë se kafeja është drejtpërdrejt shkaku i këtyre përfitimeve. Reagimi ndaj kafeinës gjithashtu nuk është i njëjtë te të gjithë individët. Megjithatë, përdorimi i rregullt mund ta ndihmojë organizmin të përshtatet, duke i zbutur me kalimin e kohës efektet e saj.
Studime të tjera kanë konstatuar se konsumi i vazhdueshëm i kafesë shoqërohet me një mundësi më të ulët për zhvillimin e diabetit të tipit 2. E njëjta lidhje është vërejtur edhe te njerëzit që pinë kafe pa kafeinë. Për studiuesit, ky rezultat sugjeron se përbërës të tjerë të kafesë mund të luajnë një rol të rëndësishëm dhe të jenë të paktën po aq të rëndësishëm sa kafeina.
