Sindikata e portit indian refuzon të punojë me dërgesat e armëve për Izraelin (FOTOT)

Sindikata ka bojkotuar dërgesat e armatimeve për Izraelin në shprehje solidariteti me Palestinën.

Një sindikatë e gjerë punonjësish në 11 porte kryesore të Indisë ka thënë se do të refuzojë përpunimin e dërgesave të armëve për Izraelin mes luftës brutale që vijon në Gaza, pas raportimeve se dronë të prodhuar në Indi po dërgohen drejt Tel Avivit.

Sindikata e punonjësve të transportit ujor tha në deklaratë se refuzonte të “ngarkonte ose shkarkonte dërgesat me armatime” nga ose drejt Izraelit dhe çdo pajisje që kishte destinacion “luftën në Palestinë”.

“Ne punonjësit e porteve do të qëndrojnë gjithmonë kundër luftës dhe vrasjes së njerëzve të pafajshëm, si gratë dhe fëmijët”, thuhej në deklaratën e sindikatës që përfaqëson më shumë se 3,500 punonjës në 11 porte shtetërore në Indi.

“Gra e fëmijë po copëtohen në këtë luftë. Prindërit nuk arrijnë të njohin më fëmijët e vrarë nga bombardimet,” shtohej në deklaratë.

Izraeli thotë se vazhdon sulmin tokësor në Rripin e Gazës për të eliminuar Hamas pas sulmit në jug të Izraelit më 7 tetor me 1000 të vrarë.

Ndërkohë më shumë se 25 000 palestinezë kanë humbur jetën në katër muajt e luftës dhe mijëra civilë janë të krizë humanitare prej shkatërrimit të shtëpive dhe infrastrukturës.

Sekretari i përgjithshëm i sindikatës indiane tha se do të bojkotohen anijet që mbajnë armë e municione drejt Izraelit.

Sekretari shtoi se në këtë fazë lëvizja është kryesisht simbolike për të shprehur solidaritetin me palestinezët pasi punonjësit nuk kanë trajtuar dërgesa armatimesh që prej nisjes së luftës.

Zhvillimi vjen pas raportimeve se ushtria izraelite ka marrë 20 dronë Hermes të prodhuar në Indi, në marrëveshjen e papublikuar në asnjë nga vendet.


Shtuar 19.02.2024 19:45