Si spiunët e Kinës dhe Rusisë po bëjnë namin në Evropë

Nga Michael Jonsson “Politico.eu

Përktheu: Alket Goce-AlbEu.com

Muajin e kaluar, dy vëllezër suedezë u dënuan për spiunazh për llogari të shërbimit sekret të ushtrisë ruse, Drejtoria kryesore e Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Federatës Ruse (GRU). Por dënimi i tyre është vetëm i fundit në një listë të gjatë dhe që po zgjerohet shpejt me rastet e spiunazhit në mbarë Evropën.

Dhe ndërsa pas shumicës së spiunazhit qëndron Rusia, në rritje të shpejtë është edhe aktiviteti i spiunazhit kinez. Gjithnjë e më shumë po duket sikur vitet 2020 mund të shndërrohen në “dekadën e spiunëve” në Evropës, njëlloj siç ishin 1980 në Shtetet e Bashkuara.

Në vitet 1980, në SHBA kishte mesatarisht 7-8 dënime për spiunazh çdo vit, duke përfshirë spiunët me një ndikim shumë të madh si Jonathan Pollard që spiunoi për llogari të Izraelit, Anna Montes për Kubën dhe John Walker për Bashkimin Sovjetik.

Dhe  ndonëse spiunët më famëkeq të SHBA-së, Aldrich Ames në CIA dhe Robert Hanssen në FBI, i nisën që të dy tradhtitë e tyre në të njëjtën dekadë, ata u demaskuan shumë vite më vonë. Ngjashëm, në një shqyrtim paraprak të çështjeve gjyqësore në Evropë që bëmë unë dhe një kolegu im për Agjencinë Suedeze të Kërkimeve të Mbrojtjes (Sw. FOI), identifikuam 42 individë të ndryshëm të dënuar për spiunazh në Evropë gjatë viteve 2010-2021, me 13 të tjerë në pritje të gjykimit.

Nga ata 37 nga të dënuarit spiunonin për Rusinë. Dhe numri i tyre ka pësuar një rritje dramatike. Gjatë viteve 2014-2018, dënimet për spiunazh u trefishuan në krahasim me ato të dhëna midis viteve 2010-2013, duke arritur në pothuajse 6 të tilla në vit.

Dhe që kur nisi lufta e agresionit të Rusisë kundër Ukrainës, këto shifra vetëm sa janë rritur. Kështu, vetëm në vitin 2022, të paktën 7 persona u dënuan për spiunazh për Rusinë dhe 3 të tjerë për Kinën. Meqë një dekadë më parë, në Evropë kishte vetëm 1 deri në 2 dënime në vit, këto të dhëna paraqesin një ndryshim shumë të madh.

Ndërkohë, është interesante të theksohet se këto dënime kanë ndodhur kryesisht në Evropën Veriore, sidomos në shtetet baltike, të cilat përfaqësojnë mbi 70 për qind të dënimeve, pavarësisht se kanë më pak se 2 për qind të popullsisë së Evropës.

Estonia ka arritur në përfundimin se mënyra më e mirë për të luftuar spiunazhin është ndjekja penale, duke denoncuar nxitësin e këtyre aktiviteteve në një përpjekje për të penguar spiunët e mundshëm. Dhe megjithëse dënime të tilla përfaqësojnë thjesht majën e ajsbergut, pasi shumë vende preferojnë rezultate më të fshehta të kundërzbulimit sesa akuzat e ngutshme, disa aleatë evropianë tani po miratojnë të njëjtën qasje, gjë që mund të shpjegojë pjesërisht edhe rritjen e madhe të shifrave.

Sidoqoftë, në një farë mënyre numri i rasteve ka më pak rëndësi sesa fakti se kush po e kryen në të vërtetë spiunimin dhe çfarë informacioni ka rrjedhur prej tyre. Është shqetësues fakti që rreth çereku i spiunëve evropianë të dënuar tashmë nga gjykatat, punonin për agjencitë e mbrojtjes apo të inteligjencës të vendeve të tyre.

Këto spiunë kishin më shumë qasje mbi informacione shumë të klasifikuara dhe të rëndësishme. Ata ishin më të paguarit dhe më aktivë se të tjerët dhe për një kohë më të gjatë. Rekrutuesit e tyre përdorën mjete tregtare më të përpunuara për t’i mbrojtur ata, përfshirë korrierët, takimet në vendet e treta, drogën dhe teknologjinë e përparuar.

Dhe nuk ka dyshim se ato ishin burimet më të vlerësuara, sepse ishin më të dëmshmet për Evropën. Rasti suedez i muajit të kaluar i përshtatet më së miri këtij modeli. Sipas vendimit të gjykatës, vëllai i madh, Peyman Kia, punonte si për Shërbimin Suedez të Sigurisë (Sw. SÄPO) po ashtu edhe për Shërbimin e Inteligjencës dhe Sigurisë Ushtarake (Sw. MUST), ku ai vodhi informacione të klasifikuara duke fotografuar ekranin e kompjuterit të tij.

I alarmuar mbi një spiun që po i dorëzonte sekretet Rusisë, SÄPO u përqendrua në mbikëqyrjen e vëllait të madh, pasi vëllai i tij më i vogël, Payam, vepronte kryesisht si korrier i tij. Ata u dënuan me burgim të përjetshëm.

Megjithëse prokurorët nuk dhanë detaje rreth informacionit të rrjedhur, dënimi tregon se të dhënat e dorëzua GRU-së ishin shumë të ndjeshme. Dhe në gjykatë, SÄPO tërhoqi paralele me gardianin e FBI-së, Robert Hanssen, spiunazhi i të cilit u përshkrua në një raport të Departamentit të Drejtësisë të SHBA-së si “ndoshta ngjarja më e keqe e shërbimit sekret në historinë e SHBA-së”.

Raste të tjera të profilit të lartë në Evropë përpara vitit 2021, përfshijnë një oficer të ushtrisë estoneze, një oficer të ushtrisë austriake, një oficer të kundërzbulimit portugez dhe një zyrtar të inteligjencës estoneze. Dhe duke parë përpara, ka që tani raporte – brenda vetëm 2 vitesh në këtë dekadë – mbi hetimet për një oficer të marinës italiane, një oficer të ushtrisë franceze, një ushtar gjerman dhe një oficer të inteligjencës gjermane, si dhe 7 bullgarë me lidhje me shërbimet e tyre të sigurisë kombëtare dhe ushtarake.

Vitin e kaluar, raportet mbi hetimet dhe rastet e reja të spiunazhit në Evropë ishin aq të shumta në numër sa që ishte shumë e vështirë të ndaleshe në detaje tek secili nga rastet. Natyrisht, ky ritëm mund të jetë pjesërisht rezultat i luftës së Rusisë kundër Ukrainës, dhe faktit që shërbimet e sigurisë së Moskës po punojnë me ritme larta dhe homologët e tyre perëndimorë po reagojnë në të njëjtën mënyrë.

Meqë shumica e këtyre rasteve dhe hetimeve në vazhdim duket se përfshijnë spiunazhin për llogari të GRU-së, kjo ngre gjithashtu pyetjen nëse mund të jetë komprometuar shërbimi i inteligjencës ushtarake të Rusisë, ose nëse ata po tregohen thjesht më të ngathët.

Për më tepër, ndërsa zyrtarët perëndimorë të sigurisë po e zhvendosin tanimë fokusin e tyre nga kundër-terrorizmi tek kundërzbulimi, në mendjen e tyre nuk është vetëm Rusia. Si britanikja MI5 ashtu edhe CIA amerikane kanë bërë paralajmërime se në fakt nuk është Rusia, por Kina ajo që përbën kërcënimin më të madh afatgjatë për sigurinë e Evropës.

Spiunët amerikanë të viteve 1980 janë të mirë-njohur në mesin e studiuesve të inteligjencës. Madje disa janë bërë emra të njohur. Dhe ndërsa Evropa po hyn në atë që mund të jetë “dekada e saj e spiunëve”, këtyre emrave mund t’u bashkohen së shpejti edhe tradhtarët evropianë po aq famëkeq. /albeu.com

Shënim:Michael Jonsson, zëvendësdrejtor i kërkimit në Agjencinë Suedeze të Kërkimeve në fushën e Mbrojtjes.

 

 

 


Shtuar 7.02.2023 14:51