Si dhe kur mund të përfundojë lufta Ukrainë-Rusi

Nga Holly Ellyatt “CNBC

Përktheu: Alket Goce-AlbEu.com

Lufta midis Rusisë dhe Ukrainës hyri në një fazë të re këtë verë, kur Kievi nisi kundërofensivën e shumëpritur, dhe kur pati shpresa se Ukraina do të rifitonte epërsinë mbi armikun.

Por në vend të kësaj të fundit, forcat e saj po përballen me një vijë fronti prej 960 km dhe fortifikime të gjera mbrojtëse ruse – në disa vende deri në 30 km të thella – që u ndërtuan që gjatë dimrit të kaluar, ndërsa Ukraina ishte duke pritur të merrte më shumë armatime të rënda nga aleatët e saj përpara se të niste kundërofensivën e saj në qershor.

Tashmë është bërë e qartë se kundërsulmi nuk do të japë rezultate të shpejta dhe se suksesi – sido që mund të matet në termat e rimarrjes së territorit të pushtuar nga Rusia – nuk është i garantuar.

Ekspertët ushtarakë paralajmërojnë se kjo do të thotë se lufta ka të ngjarë të zgjatet më tej.

Kjo gjë do të ushtrojë një presion të jashtëzakonshëm mbi Ukrainën për të luftuar edhe për disa vite të tjera, por potencialisht edhe mbi partnerët e saj ndërkombëtarë që të vazhdojnë të ofrojnë miliarda dollarë të tjerë në burime ushtarake, humanitare dhe financiare.

“Ukraina duhet të tregojë se mund të arrijë një përparim domethënës në fushën e betejës. Por të gjithë e dinë se duke pasur parasysh madhësinë e forcës që ka, nuk do të arrijë që të dëbojë çdo ushtar rus nga Ukraina brenda këtij viti”- thotë për CNBC gjenerali britanik në pension Richard Barrons, ish-komandant i Komandës së Forcave të Përbashkëta të Mbretërisë së Bashkuar.

“Deri në fund të këtij viti, të dyja palët do të mendojnë se kanë akoma më shumë për të fituar duke luftuar. Rusia s’mund të heqë dorë nga lufta, ajo nuk mund të humbasë, për shkak të pasojave fatale që do të kishte kjo gjë për regjimin rus. Edhe Ukrainës nuk i ka shterur  vullneti për të luftuar, dhe nuk është e gatshme të heqë dorë nga territori që është pushtuar. Ajo do vetëm më shumë ndihmë nga Perëndimi për ta rimarrë atë. Dhe kjo do të na çojë në vazhdimin e luftës në vitin 2024 dhe ndoshta edhe në 2025-ën”-shtoi ai.

Kundërofensiva e Ukrainës ka të ngjarë të shënojë njëfarë përparimi në pjesën e mbetur të këtij viti, thekson më tej ushtaraku britanik, por jo aq shumë sa t’i japë fund pushtimit. “Në një farë mase, ne duhet ta pranojmë se Ukraina edhe mund të fitojë në fushën e betejës. Por që të ndodhë kjo duhet një ndihmë shumë më e madhe. Dhe me këtë nënkuptoj rreth 100 miliardë dollarë në vit në total nga të gjithë mbështetësit e saj, të paktën për vitet 2024 dhe 2025”- shprehet ai.

Ka pasur shpresa se kundërofensiva e Ukrainës do ta kthente valën e luftës në favor të saj. Por forcat ruse janë fortifikuar shumë përgjatë vijës së frontit që shtrihet nga lindja në jug të Ukrainës, duke krijuar linja të thella mbrojtëse të cilat përbëhen pjesërisht nga rrjet minash, bunkerë, llogore dhe shtresa pengesash anti-tank.

Që nga fillimi i kundërsulmit në qershor, është çliruar vetëm një pjesë e vogël e fshatrave të pushtuar. Dhe ndërsa Ministria e Mbrojtjes e Ukrainës raporton se forcat e saj kanë bërë përparime pranë Bakhmutit në Donetsk në lindje dhe kanë rimarrë 204.7 kilometra katrorë territor në jug, trupat e saj po përballen me një sfidë të madhe në përpjekje për të çarë   mbrojtjen ruse dhe përparuar në jug drejt qyteteve portuale Berdyansk dhe Melitopol në Detin Azov.

Nick Reynolds, bashkëpunëtor dhe studiues i luftës tokësore në institutin kërkimor të mbrojtjes dhe sigurisë RUSI me qendër në Londër, thotë për CNBC se nuk duhet të jetë një befasi që kundërofensiva ukrainase po rezulton të jetë e vështirë.

“Ushtrisë ruse iu dha një mundësi e qartë në muajt e parë të këtij viti për të forcuar linjat mbrojtëse. Dhe nëse analizon llojin e fortifikimeve që ndërtuan, atëherë duhet pranuar se ato do të ishin gjithmonë një sfidë e madhe për ukrainasit, sidomos duke pasur parasysh faktin që Forca Ajrore e Ukrainës nuk është në gjendje të sulmojë në shkallë të plotë mbi linjat e mbrojtjes ruse”- deklaron ai.

Një nga synimet kryesore të Ukrainës në këtë kundërsulm është të shkëputë “urën tokësore” ruse që shtrihet nga Rusia në pjesën e pushtuar të Ukrainës Jugore deri në Krime. Por kjo është një zonë ku fortifikimet e Rusisë janë ndër më të rëndat.

“Forcat ukrainase po mësyjnë në vijën e parë të mbrojtjes ruse, por bëhet fjalë për një brez 30 kilometra të thellë me fusha të minuara dhe llogore, ku ndodhin vazhdimisht kundërsulme nga ana e rusëve. Nga vendi ku ndodhen aktualisht deri në vijën bregdetare janë rreth 96 km, dhe ata kanë përparuar deri më tani 8 km. Prandaj kjo është një detyrë vërtet e madhe”- tha Barrons.

“Strategjia e Rusisë është të rezistojë dhe mbajë territoret që ka pushtuar, dhe rusët do të jenë shumë kokëfortë në zbatimin e kësaj strategjie duke besuar dy gjëra: Njëra është se vullneti i ukrainasve për të vdekur në këtë luftë për çlirimin e 15 për qind të territorit të vendit do të shterojë kur të nisin të pësojnë humbjet që zakonisht ndodhin gjatë një ofensive. Dhe së dyti, që entuziazmi i Perëndimit për të paguar faturën do të bjerë në një moment sepse ne duam që t’i shpenzojmë paratë tona për gjëra të tjera”- nënvizon ai.

Ekspertët e mbrojtjes theksojnë se nuk ka gjasa që kundërofensiva të shohë ndonjë përparim të dukshëm këtë vit. Por ata vënë në dukje se është thelbësore që Ukraina të jetë në gjendje të tregojë të paktën disa përfitime, në mënyrë që të ruajë mbështetjen perëndimore për luftën deri në vitin 2024, dhe ndoshta më tej.

“Kievi e ka të qartë se i nevojiten të paktën disa suksese të rëndësishme në mënyrë që të mund të shkojë në NATO dhe Shtetet e Bashkuara dhe t’u thotë: “Na falni që kundërsulmi nuk ishte aq i suksesshëm sa do të donim. Por me armët që na keni dhënë… ne kemi bërë mjaftueshëm për t’i ndarë në dysh forcat ruse, në mënyrë që të investoni për një kundërsulm të ri në pranverën e vitit 2024, për të mbajtur gjallë shpresën”- mendon Jamie Shea, një ish-zyrtar i lartë i NATO-s dhe ekspert në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë ndërkombëtare në institutin Chatham House.

“Unë mendoj se rreziku për ukrainasit, është nëse ata bllokohen në një ngërç, ku të kenë rifituar shumë pak territor, ku shumë nga pajisjet e dërguara nga Perëndimi janë dëmtuar dhe vetë ukrainasit kanë pësuar viktima serioze në front”- shton Shea.

Ky skenar mund të trimërojë kritikët e luftës; të rritë pakënaqësinë e publikut ndaj financimit të vazhdueshëm për Ukrainën; dhe përbën një problem për sa i përket prodhimit dhe furnizimit të armëve për Perëndimin. Tani për tani, aleatët e Ukrainës po qëndrojnë fort në krah të saj, duke thënë se ata do ta mbështesin atë “për sa kohë të duhet”, por edhe Rusia “nuk është gati të heqë dorë”, thotë Barrons.

Ndërkohë, çdo perspektivë e bisedimeve të paqes midis Rusisë dhe Ukrainës duket e dobët, pavarësisht përpjekjeve për të sjellë të dyja palët në tryezën e bisedimeve. Zyrtarë të lartë nga rreth 40 vende, përfshirë Kinën dhe Indinë, zhvilluan bisedime në Jeddah të Arabisë Saudite fundjavës që kaloi për të rënë dakord mbi parimet kryesore që mund ta bëjnë më të afërt një zgjidhje të ardhshme të konfliktit të armatosur.

Megjithatë, Rusia nuk ishte e pranishme në diskutime. Ndërsa zëdhënësi i Sigurisë Kombëtare i SHBA-së, John Kirby, deklaroi përpara mbajtjes së bisedimeve se Shtëpia e Bardhë nuk priste ndonjë “arritje të prekshme”. Në një moment, Ukraina do të detyrohet të vendosë nëse ka një zgjidhje ushtarake për konfliktin apo nëse duhet të kërkojë një rrugëdalje tjetër pa pranuar asnjë lloj humbjeje, thekson Barrons.

Dhe një mënyrë për ta bërë këtë është përmes një armëpushimi, pra një marrëveshje të përkohshme për të ndërprerë operacionet ushtarake, por në një mënyrë që nuk i jep fund luftës. “Një pasojë është se kjo luftë është zhvilluar sepse Ukraina po e merr ndihmën për ta zhvilluar atë. Një rezultat tjetër është se Ukraina mund të vendosë të ngrijë konfliktin, por ne nuk jemi aspak afër këtij momenti.

Pastaj ka edhe skenarë të ndërmjetëm, dhe kjo ndodh me shumë luftëra. Ato mbërrijnë në një ngërç dhe më pas vazhdojnë kështu për një brez”- thekson ai, duke përmendur konfliktin e Greqisë dhe Turqisë mbi Qipron, Koreun e Veriut dhe atë të Jugut si shembuj të ngërçit në të cilin asnjëra palë nuk dëshiron realisht të rindezë një konflikt.

Ndërsa disa qeveri perëndimore do të shmangin fshehurazi kostot e vazhdueshme të mbështetjes së Ukrainës (SHBA-ja ka premtuar tashmë mbi 40 miliardë dollarë ndihmë sigurie për Kievin), shumë të tjerë e kuptojnë rrezikun e madh, shprehet Barrons.

“Ata e kuptojnë se në një kuadër më të plotë kjo është një përplasje midis Perëndimit dhe Rusisë, dhe në lojë nuk është vetëm integriteti territorial i ardhshëm i Ukrainës, por struktura e sigurisë për Evropën dhe Perëndimin me Rusinë”- vë në dukje ai.

“Dhe kjo në një epokë ku Kina po vëzhgon nga afër nëse Perëndimi ka “stomak” për të mbrojtur interesat e tij. Dhe në këtë kontekst strategjik, të gjithë mendojnë se kjo lojë do të duhet të luhet deri në fund. Pra me fjalë të tjera, ne duhet të vazhdojmë të qëndrojmë në krah të Ukrainës… por ka një çmim për t’u paguar”- përfundoi ai. /albeu.com


Shtuar 8.08.2023 10:51