Katër persona janë lënduar pasi benzina ka marrë flakë gjatë punës për riparimin e motorit të një skafi në Porto Palermo, Himarë.
Të lidhura
None found
Incidenti ndodhi pak minuta më parë në bregdet, ku katër shtetas po ndërhynin në motorin e mjetit lundrues.
Flakët u shkaktuan nga kontakti me benzinën dhe të katër personat pësuan djegie në pjesë të ndryshme të trupit. Për t’u shpëtuar flakëve, ata u hodhën në det, ndërsa njëri prej tyre ka marrë djegie të shumta.
Pas ngjarjes, të dëmtuarit u dërguan fillimisht për ndihmë mjekësore në spitalin e Himarës. Shkalla e dëmtimeve të tyre nuk është bërë ende e ditur.
Policia mbërriti në vendin e ngjarjes dhe nisi verifikimet për përcaktimin e shkaqeve dhe rrethanave të incidentit.
Rreth orës 19:20, në Qendrën Shëndetësore Himarë janë paraqitur për trajtim mjekësor 4 shtetas, të cilët kishin pësuar djegie në pjesë të ndryshme të trupit.
Sipas verifikimeve paraprake, gjatë riparimit të motorit të një skafi në Porto Palermo, shtetasit XH.I, 40 vjeç, A.O, 38 vjeç, M.M, 25 vjeç dhe A.D, 18 vjeç, janë djegur pasi kanë rënë në kontakt me lëndën djegëse benzinë.
Katër të dëmtuarit janë transportuar më pas në Spitalin Rajonal Vlorë, ku do të marrin ndihmë mjekësore më të specializuar.
Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po vijon punën për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.
