“Shkakton kancer”/ “Johnson & Johnson” përballet me mbi 3,000 padi për pudrën e foshnjave

Kompania e njohur amerikane “Johnson & Johnson” është paditur nga më shumë se 3,000 persona në Mbretërinë e Bashkuar, pas akuzave se pudra e saj për foshnje përmbante asbest, një substancë kancerogjene që lidhet me raste të shumta të kancerit.

Paditësit ngritën padi në Gjykatën e Lartë të Londrës, duke pretenduar se kompania ka shitur me vetëdije pudër talk të kontaminuar me asbest për dekada, duke fshehur rrezikun për shëndetin e konsumatorëve.
Sipas mediave britanike, padia e ngritur nga firma ligjore KP Law akuzon si “Johnson & Johnson”, ashtu edhe Kenvue UK – kompania që u nda prej saj në vitin 2023 – për shitjen e produkteve midis viteve 1965 dhe 2023 që dyshohet se kanë shkaktuar kancer të vezoreve dhe mezoteliomë (kancer i membranës së mushkërive).

Sipas paditësve, pudra për foshnje përmbante fibra kancerogjene, përfshirë asbestin, dhe kompania nuk ka paralajmëruar konsumatorët për këtë rrezik. Nga ana tjetër, Kenvue ka deklaruar se produktet e saj nuk përmbajnë asbest dhe nuk shkaktojnë kancer, duke hedhur poshtë akuzat.

Vetëm javën e kaluar, “Johnson & Johnson” u urdhërua të paguante 966 milionë dollarë familjes së një gruaje që kishte vdekur nga mezotelioma në Kaliforni — një nga dëmshpërblimet më të mëdha të dhëna ndonjëherë ndaj kompanisë. Në SHBA, kompania po përballet me qindra padi të ngjashme, nga individë që pretendojnë se janë prekur nga kanceri pas përdorimit të produkteve me bazë talku.

“Johnson & Johnson” ndërpreu shitjet e pudrës së saj me bazë talku në SHBA në vitin 2020 dhe në të gjithë botën në vitin 2023, duke e zëvendësuar formulën me një version me bazë niseshte misri. Megjithatë, pasojat ligjore dhe imazhi i dëmtuar i kompanisë vazhdojnë të jenë në qendër të vëmendjes globale.


Shtuar 17.10.2025 13:11