Daily Mail ka publikuar pamjet nga dy personat që u arrestuan lidhur me sulmin e përgjakshëm në Moskë, ku u vranë të paktën 137 persona, mes tyre 3 fëmijë dhe mbetën të plagosur mbi 180 të tjerë.
Në video, të dyshuarit shihen duke u mbajtur nga rojet e sigurisë teksa nxirren nga kamionët dhe dërgohen për t’u marrë në pyetje.
Video është dhënë për mediat nga Komiteti Hetimor i Rusisë. Përgjegjësinë për sulmin vdekjprurës e mori grupi militant, Shteti Islamik i cili publikoi edhe një video që pretendon ta ketë xhiruar njëri prej sulmuesve. Videoja, e cila zgjat rreth 90 sekonda, tregon katër persona .
Njëri prej agresorëve shihet kur hap zjarr ndaj njerëzve që janë fshehur. Rusia i ka arrestuar 11 persona që dyshohen se kanë pasur lidhje me ngjarjen përfshirë edhe katër personat e dyshuar.
Mesazhi i ri i Medvedevit: Ata që planifikuan sulmin duhet të vriten
Rusia do shënjestrojë ata që qëndrojnë pas të shtënave vdekjeprurëse në sallën e koncerteve afër Moskës, tha në një mesazh zëvendëspresident i Sigurisë Ruse.
Medvedev, i cili tha të premten se ata që planifikuan sulmin duhet të ndiqen dhe të vriten, e bëri deklaratën e tij të fundit në llogarinë e tij zyrtare në shërbimin e mesazheve Telegram.
“Ne do të marrim hak për secilin (të vrarët dhe të plagosurit). Dhe të përfshirët, pavarësisht nga vendi i origjinës, pozicioni, statusi, tani janë objektivi ynë kryesor dhe legjitim”, theksoi ai.
Mënyra se si do të reagojë presidenti rus mbetet ende me pikëpyetje, pasi Putini nuk ka shprehur asnjë mendim të qartë lidhur me Ukrainën dhe aludimet e Kremlinit, i cili në mënyrë jo të drejtpërdrejtë tha se përgjegjës për sulmin është edhe Kievi.
Në orët e fundit, mediat ndërkombëtare e shohin këtë si një mundësi të madhe që Putini të përshkallëzojë sulmet kundër Ukrainës, duke vendosur edhe më shumë forca ushtarake në Ukrainë.
Dhe e gjithë kjo ndërkohë që Kievi ka mohuar çdo lloj përfshirje. Sipas Politico, Moska dhe Ukraina janë angazhuar në një përpjekje për të ndërtuar një narrativë pas incidentit terrorist, ndërsa qytetarët e Moskës përpiqen të kapërcejnë tronditjen.