Një punëtor humbi jetën dhe pesë të tjerë mbetën të plagosur pas shembjes së një tuneli në minierën më të madhe të arit në Egjipt. Autoritetet njoftuan të dielën se aktiviteti në minierë është ndërprerë deri në daljen e përfundimeve të hetimit.
Të lidhura
None found
Sipas një deklarate të Ministrisë egjiptiane të Naftës, ngjarja ndodhi në një tunel të zonës nëntokësore të minierës së arit Sukari, e cila ndodhet në juglindje të vendit më të populluar arab.
Pesë të lënduarit u transportuan për trajtim në një spital në Marsa Alam, në Detin e Kuq. Ministria bëri të ditur se gjendja e tyre paraqitet e qëndrueshme.
Ministri i Naftës, Karim Badawi, urdhëroi ngritjen e një komisioni që do të përcaktojë shkaqet e shembjes dhe do të propozojë masa për parandalimin e aksidenteve të ngjashme, thuhet në deklaratën e ministrisë.
Miniera gjendet rreth 30 kilometra në jugperëndim të Marsa Alam dhe menaxhohet nga një kompani e krijuar si sipërmarrje e përbashkët mes qeverisë egjiptiane dhe AngloGold Ashanti. Kjo e fundit bleu në vitin 2024 kompaninë Centamin, e cila e operonte më parë minierën.
Në Sukari prodhohen afërsisht 500,000 ons ar në vit, ndërsa kontributi i saj vjetor në ekonominë e Egjiptit arrin në qindra miliona dollarë.
Miniera vlerësohet gjithashtu si një projekt i rëndësishëm për qeverinë e Presidentit Abdel Fattah al-Sisi, i cili synon zgjerimin e sektorit minerar dhe tërheqjen e investitorëve të huaj.
Ngjarjet aksidentale në minierat egjiptiane konsiderohen relativisht të rralla, veçanërisht në këtë minierë ari, ku shfrytëzohen teknologji moderne.
