Shembet skela në Zvicër, tre persona humbin jetën, raportohet për të mbetur nën rrënoja

Të paktën tre persona humbën jetën dhe tetë të tjerë u plagosën pasi u shemb skela e një ndërtese 19-katëshe në ndërtim në Prigis, në periferi të Lozanës.

Skela, e cila arrinte një lartësi prej 60 metrash, u shemb në njërën nga fasada e ndërtesës pak pas orës 9:30 (koha lokale) “si një kullë letre”, sipas dëshmitarëve okularë. Si pasojë, ndërtuesit që po punonin në të ranë nga një lartësi e madhe.

Nga të plagosurit, katër janë në gjendje të rëndë dhe njëri është dashur të transportohet me helikopter në një spital aty pranë. Pjesa tjetër kanë lëndime të lehta.

“Një ose dy persona janë ende të zhdukur”, tha zëdhënësi i policisë Jean-Christophe Soterel për AFP. Zjarrfikësit po punojnë për të gjetur të zhdukurit në rrënojat e skelës, ndërsa të tjerë po punojnë të stabilizojnë pjesën e mbetur të saj, e cila nuk ka rënë. Sotterel tha se shkaku i aksidentit ende nuk është përcaktuar dhe se prokuroria po kryen një hetim paraprak.

Sipas informacioneve të televizionit publik RTS, shembja është shkaktuar nga rënia e ashensorit të përdorur nga ndërtuesit për t’u ngjitur vetë, por edhe për të ngritur materiale të ndryshme, deri në katin e fundit të pallatit. Pas rënies, ai mori me vete skelat.

“Pashë ashensorin që po ngjitej dhe më pas, papritmas, dëgjova një zhurmë të madhe. Gjithçka u shemb”, tha pensionisti Fernand Mono, një dëshmitar okular i tragjedisë.

Punëtorët i thanë AFP se deri atëherë nuk kishte pasur probleme sigurie. Disa, të cilët kërkuan të mbeten anonim, sugjeruan se ashensori u shemb sepse ishte i mbingarkuar.


Shtuar 12.07.2024 18:56