Shefi i mbrojtjes së Gjermanisë paralajmëron: Brenda 5 viteve duhet të jemi gati për luftë

Shefi i Mbrojtjes së Gjermanisë, Carsten Breuer ka deklaruar një intervistë për gazetën “Welt am Sonntag” se vendi i tij “duhet të jetë gati për luftë” brenda 5 viteve.

“Nuk kemi kohë pa fund sepse që nga përfundimi i Luftës së Ftohtë e deri më tani për herë të parë po diktohet nga jashtë një luftë ndaj nesh. Kur ndjek analistët dhe kur shoh potencialin kërcënues ushtarak që buron nga Rusia kjo për ne do të thotë 5 deri në 8 vite përgatitje”.

Në pyetjen se sa të lartë e sheh ai mundësinë e zgjerimit të luftës nga presidenti rus Vladimir Putin përtej Ukrainës, shefi gjerman i Mbrojtjes tha se Duma ruse ka kaluar ligjin e ekonomisë së luftës, çka do të thotë se tani probabiliteti po rritet”.

Duke thënë se ministri gjerman i Mbrojtjes, Boris Pistorius zgjoi njerëzit kur foli për herë të parë për të qenë gati për luftë, Breuer tha se në fund të fundit çështja është vetëmbrojtja dhe që kundërshtari të mos marrë vendim për të sulmuar.

“Ka shumë gjëra për të qenë gati për luftë. Përveç asaj që personeli dhe materiali të jetë gati për detyrë, ne duhet të kalojmë edhe nëpër një ndryshim mentaliteti. Ka nevojë për transformim mendor si në shoqëri ashtu edhe kryesisht në mentalitet në ushtrinë gjermane”, tha Breuer.

Pas Luftës Rusi-Ukrainë, Gjermania mori vendim për të rritur ndjeshëm shpenzimet e saj të mbrojtjes dhe krijoi një fond special prej 100 miliardë eurosh për të blerë sisteme të avancuara të armëve dhe për të modernizuar forcat e armatosura të vendit.

Qeveria nënshkroi kontrata të shumta, përfshirë blerjen e avionëve luftarakë F-35 të prodhimit amerikan, helikopterëve transportues “Chinook” dhe sistemin e mbrojtjes raketore “Arrow-3” të prodhuar nga Izraeli.


Shtuar 11.02.2024 21:10