Departamenti amerikan i Thesarit ka njoftuar vendosjen e sanksioneve ndaj Tomoko Akane, gjyqtares japoneze që drejton Gjykatën Penale Ndërkombëtare (GJPN), me seli në Hagë. Ky është një tjetër hap ndëshkues i ndërmarrë nga Shtetet e Bashkuara kundër institucionit.
Të lidhura
None found
Masat e reja vijnë në një kohë kur përplasja mes administratës së presidentit Donald Trump dhe GJPN-së po bëhet gjithnjë e më e ashpër. Shtetet e Bashkuara nuk janë anëtare të kësaj gjykate.
Konflikti mes Uashingtonit dhe gjykatës lidhet edhe me urdhër-arrestet e lëshuara ndaj kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu dhe ish-ministrit të Mbrojtjes Yoav Gallant. Për këto masa, vitin e kaluar administrata amerikane kishte sanksionuar disa prokurorë dhe gjyqtarë të GJPN-së.
Një tjetër çështje që ka nxitur kritikat amerikane është hetimi i mëparshëm i Gjykatës Penale Ndërkombëtare për veprimet e trupave amerikane në Afganistan.
Sanksionet nënkuptojnë bllokimin e çdo pasurie që personat e prekur mund të kenë nën juridiksionin e Shteteve të Bashkuara. Ato u kufizojnë gjithashtu aksesin në sistemin financiar amerikan, një masë me ndikim të gjerë për shkak të lidhjeve të forta mes bankave ndërkombëtare dhe sistemit financiar të SHBA-së.
Përplasja ka kaluar edhe në planin diplomatik. Në qershor, tre gjyqtarë të GJPN-së ngritën padi ndaj Donald Trump dhe administratës së tij, duke e cilësuar të paligjshme vendosjen e sanksioneve.
Muajin e kaluar, Sekretari amerikan i Shtetit Marco Rubio tha se Uashingtoni do t’i shtonte përpjekjet për dobësimin e Gjykatës Penale Ndërkombëtare. Në këtë strategji përfshihet edhe një fushatë diplomatike për të bindur shtete të tjera që të tërhiqen nga institucioni.
Sipas administratës amerikane, GJPN-ja përbën kërcënim për personelin e Shteteve të Bashkuara. Në këtë kategori përfshihen zyrtarët që zbatojnë politikat e ashpra të administratës Trump për emigracionin, personat e angazhuar në operacionet kundër anijeve të dyshuara për transport droge, si dhe pjesëtarët e forcave të armatosura amerikane.
Gjykata Penale Ndërkombëtare i ka kundërshtuar sanksionet e fundit të Uashingtonit, duke paralajmëruar për pasojat e tyre.
“Sanksionet amerikane ndaj anëtarëve të rëndësishëm të Gjykatës Penale Ndërkombëtare minojnë shtetin e së drejtës”, thuhet në deklaratën e GJPN-së.
Institucioni thekson se kërcënimi ndaj gjyqtarëve dhe zyrtarëve të drejtësisë, vetëm për shkak të zbatimit të ligjit, rrezikon jo vetëm funksionimin e gjykatës, por edhe vetë rendin juridik ndërkombëtar.
