Nicolas Maduro dhe bashkëshortja e tij, Cilia Flores, pritet të përballen me akuza të reja nga prokurorët në Nju Jork. Çështja lidhet me torturimin e shtetasve amerikanë të mbajtur gjatë viteve të fundit në burgjet e Venezuelës.
Të lidhura
None found
Burime të njohura me hetimin thonë se akuzat mund të njoftohen që të enjten. Hetuesit po shqyrtojnë rastet e më shumë se një duzine amerikanësh të ndaluar gjatë qeverisjes së Maduros, të cilët autoritetet amerikane i kanë cilësuar si të arrestuar në mënyrë të padrejtë. Sipas CNN, prokurorët po vlerësojnë edhe ngritjen e akuzave ndaj personave të tjerë që dyshohet se kanë marrë pjesë në torturimin e tyre.
Maduro dhe Flores u kapën në janar, gjatë një operacioni ushtarak amerikan në pallatin presidencial në Caracas. Të dy janë deklaruar të pafajshëm ndaj akuzave për komplot për narkoterrorizëm dhe vepra të tjera penale. Aktualisht mbahen në Nju Jork, pa mundësi lirimi me kusht.
Flores pritet të dalë para gjykatës të enjten. Avokati i saj do të kërkojë që ajo ta presë gjyqin në arrest shtëpie. Mbrojtësi i Maduros, ndërkaq, kundërshton ligjshmërinë e arrestimit dhe argumenton se ish-presidenti duhet të ketë imunitet për veprimet e kryera gjatë ushtrimit të detyrës.
Qeveria e Maduros arrestoi më shumë se një duzinë amerikanësh. Autoritetet e SHBA-së dhe organizatat për të drejtat e njeriut e kanë akuzuar se i përdorte të burgosurit për qëllime politike.
Dy prej tyre, Matthew Heath dhe Osman Khan, u liruan në tetor të vitit 2022 përmes një shkëmbimi të të burgosurve. Në një padi, ata kanë pretenduar se janë goditur me rrymë elektrike, janë kërcënuar me sulm seksual, u janë dhënë substanca që ndikonin në gjendjen mendore dhe janë mbajtur në izolim.
Për kushte brutale gjatë ndalimit ka folur edhe grupi “CITGO 6”. Ai përbëhet nga gjashtë drejtues amerikanë të industrisë së naftës, të arrestuar në Venezuelë në vitin 2017 dhe të mbajtur për afro pesë vjet.
Të arrestuarit mbaheshin në Drejtorinë e Përgjithshme të Kundërzbulimit Ushtarak (DGCIM). Një raport i Kombeve të Bashkuara e ka cilësuar këtë institucion përgjegjës për ndalime arbitrare, keqtrajtime dhe tortura ndaj kundërshtarëve politikë dhe familjarëve të tyre.
Sipas raportit të OKB-së, ndaj të ndaluarve përdoreshin goditje elektrike, mbytje, waterboarding, rrahje, dhunë seksuale, privim nga ushqimi dhe uji, pozicione të detyruara dhe ekspozim ndaj temperaturave ekstreme. Këto praktika synonin marrjen e informacionit ose rrëfimeve, si edhe frikësimin dhe ndëshkimin e tyre. Akuzat e reja për të cilat ka raportuar CNN nuk janë njoftuar ende zyrtarisht nga autoritetet amerikane.






