Shefi i ushtrisë së Pakistanit, Asim Munir, mbërriti mëngjesin e sotëm në Teheran në kuadër të një misioni ndërmjetësues. Vizita zhvillohet në kohën kur Shtetet e Bashkuara po bëhen gati të ndërmarrin atë që e kanë përshkruar si “sulmin më të madh financiar ndonjëherë” ndaj partnerëve tregtarë të Iranit.
Të lidhura
None found
Sekretari amerikan i Thesarit, Scott Bessent, ka paralajmëruar masa të rënda ndaj Iranit, vend që është përballur me sanksione ekonomike pothuajse pa ndërprerje që prej Revolucionit Islamik të vitit 1979. Paketa e re e sanksioneve pritet të prezantohet sot, në një konferencë për shtyp të planifikuar për orën 13:00.
Në një shkrim të publikuar të dielën në Financial Times, Bessent deklaroi: “Në agim fillon ‘Dita ekonomike’, sulmi më i madh financiar i nisur ndonjëherë kundër një kundërshtari”.
Autoritetet në Teheran kanë refuzuar kërcënimet amerikane, duke deklaruar se do të bllokojnë të gjitha eksportet e naftës nga Gjiri Persik “nëse lufta ekonomike vazhdon”. Irani lëshoi gjithashtu një paralajmërim të ri për lundrimin detar, sipas të cilit asnjë anije nuk duhet të kalojë përmes Ngushticës së Hormuzit pa autorizimin e tij.
Sipas mediave iraniane, Munir, i cili ka krijuar një marrëdhënie personale me Presidentin e SHBA-së Donald Trump, ka shkuar në Iran për bisedime me persona pranë Mojtaba Khamenei-n.
Pakistani tha se udhëtimi i tij lidhet me përpjekjet “për të promovuar paqen dhe stabilitetin rajonal”. Një burim pakistanez bëri të ditur se Munir pritej të takohej me figura të afërta me udhëheqjen e lartë iraniane. Ndërkohë, burime të cituara nga Reuters raportuan se marshalli pakistanez kishte kontaktuar presidentin amerikan përpara udhëtimit drejt Teheranit.
Teherani njoftoi po ashtu se ministri i Jashtëm i Omanit do të zhvillojë një vizitë në Iran të martën, për bisedime që lidhen me Ngushticën e Hormuzit.
