Autoritetet amerikane kanë bërë të ditur të premten se 34 fëmijë të raportuar të zhdukur në Queens dhe Long Island janë gjetur dhe janë rikthyer në kushte të sigurta pas një operacioni të zhvilluar për 72 orë.
Të lidhura
None found
Operacioni, i pagëzuar “Long Island Children Rescue Operation”, u zhvillua nga e marta deri të enjten. Disa prej rasteve kishin zgjatur vetëm disa ditë, ndërsa në raste të tjera zhdukja kishte vijuar deri në 10 vjet.
Fëmijët e gjetur ishin të moshave nga 7 deri në 18 vjeç. Pas lokalizimit, ata u referuan te shërbimet mbështetëse, ku përfshiheshin kujdesi mjekësor dhe plotësimi i nevojave të tjera bazë.
Autoritetet thanë se shumica e fëmijëve ishin larguar vullnetarisht nga banesat e tyre. Megjithatë, disa prej tyre ishin ekspozuar ndaj shfrytëzimit të rëndë dhe trafikimit të qenieve njerëzore.
Koordinimi i aksionit u krye nga një qendër komanduese në Garden City, në Nassau County. Në operacion morën pjesë rreth 100 profesionistë, të angazhuar nga 40 agjenci dhe organizata.
Të dhënat e raportuara nga “Newsday” tregojnë se 18 prej fëmijëve vinin nga Nassau County, 12 nga Suffolk County dhe 4 nga Queens. Ndërkohë, zyra e guvernatorit bëri të ditur se në zonë vazhdojnë të jenë të hapura 31 raste të tjera të fëmijëve të zhdukur.
Mbi 10 mijë fëmijë u raportuan të zhdukur gjatë vitit 2025.
Steven James, superintendent i Policisë së Shtetit të Nju Jorkut, deklaroi se gjatë vitit 2025 në të gjithë shtetin u raportuan si të zhdukur 10,629 persona nën moshën 18 vjeç.
Rreth 94% e këtyre rasteve kishin të bënin me fëmijë që ishin larguar nga shtëpia.
Po gjatë vitit 2025, autoritetet përfunduan 10,672 raste të fëmijëve të raportuar të zhdukur atë vit ose në vitet paraardhëse. Megjithatë, në mbyllje të vitit mbetën aktive 1,079 çështje të fëmijëve të zhdukur në të gjithë shtetin.
Aksioni në Long Island ishte operacioni i katërt i madh i këtij lloji në Nju Jork. Në nismat e mëparshme, të zhvilluara në Erie County, Capital Region dhe Westchester, u gjetën gjithsej 168 fëmijë dhe adoleshentë të zhdukur.
Kevin Branzetti, drejtues i National Child Protection Task Force, vuri në dukje se lokalizimi i një fëmije të zhdukur nuk përfshin domosdoshmërisht një aksion spektakolar.
“Gjetja e një fëmije shpejt, shpresojmë përpara se t’i ndodhë diçka e keqe, shpesh kërkon një përpjekje të koordinuar”, tha ai.
Branzetti shtoi se puna e autoriteteve nuk mbyllet me gjetjen e fëmijës. Më pas duhet të përcaktohet arsyeja e largimit, përvojat e tij gjatë periudhës së zhdukjes dhe lloji i ndihmës që i nevojitet.
Një tjetër operacion i përmasave të mëdha, i zhvilluar në shkurt në Westchester County, kishte mundësuar gjetjen e 43 fëmijëve të zhdukur ose të larguar nga shtëpia. Në të morën pjesë rreth 70 agjenci federale, shtetërore dhe lokale.
