Këngëtarja kolumbiane Shakira mbërriti në Quibdó, kryeqytetin e Chocó-së, për të parë nga afër pasojat e tërmetit me magnitudë 7.4 të shkallës Rihter, i cili goditi Kolumbinë më 10 gusht. Lëkundjet shkaktuan rreth 300 viktima dhe shkatërruan qytete të tëra.
Të lidhura
None found
E shoqëruar nga Howard Buffett, djali i miliarderit Warren Buffett, Shakira prezantoi një plan për rikonstruksionin e institucioneve arsimore të dëmtuara. Projekti po zhvillohet nga Fundación Pies Descalzos, fondacioni i themeluar prej saj, në partneritet me Live Nation.
“Do t’i përkushtoj të gjitha përpjekjet e mia personale këtij projekti. Angazhimi im është konkret. Ne kemi mbledhur tashmë 1.25 milionë dollarë për të filluar këtë proces rindërtimi”, deklaroi Shakira.
Artistja paralajmëroi se të mbijetuarit mund të mos marrin ndihmën e duhur pasi të mbyllet faza e emergjencës.
“Nuk mund të lejojmë që fëmijët tanë të mos jenë në gjendje të kthehen në shkollë”, tha ajo, duke kërkuar mbështetje më të madhe për komunitetet e prekura të Chocó-së.
Shakira u shpreh se Kolumbia i ka këtij rajoni një “borxh historik”. Në përfundim të vizitës, ajo përcolli ngushëllimet e saj për familjet që humbën të afërmit nga tërmeti.
“Prindërve që kanë humbur fëmijët e tyre, u them se nuk kam fjalë për të shprehur atë që po përjetojnë. Dhimbja juaj nuk do të harrohet”, u shpreh këngëtarja.
Vizita u zhvillua ndërsa zonat e goditura vazhdojnë të përballen me pasojat e katastrofës dhe me nevojën urgjente për rikthimin e infrastrukturës, veçanërisht të shkollave ku duhet të rikthehen fëmijët e prekur.
