Rusia teston një raketë balistike ndërkontinentale, ministria e Mbrojtjes: Ishte pjesë e “testimit shtetëror të sistemeve të mundshme raketore”

Ushtria ruse raportoi më 12 prill se ka testuar me sukses një raketë balistike ndërkontinentale.

Ministria e Mbrojtjes e Rusisë tha përmes një deklarate se raketa u lëshua nga poligoni në Kapustin Jar, në jug të Rusisë. Testimi, sipas ministrisë, ishte pjesë e “testimit shtetëror të sistemeve të mundshme raketore dhe të konfirmimit të stabilitetit të raketave që aktualisht përdoren”.

Testimi arriti rezultatin e tij “në tërësi”, shtoi ministria, dhe konfirmoi “besueshmërinë e lartë të raketave ruse për të garantuar sigurinë strategjike [të Rusisë]”. Ministria ruse e Mbrojtjes nuk tregoi se çfarë lloji i raketës u testua.

Rusia rregullisht kryen testime të raketave balistike ndërkontinentale dhe të raketave të tjera, teksa synon që të modernizojë arsenalin e saj.


Shtuar 12.04.2024 22:48