Rusia po rrit numrin e ushtarëve në lindje të Ukrainës përderisa po përqendron përpjekjet e saj për të kryer ofensivë në këtë rajon, tha Shtabi i Përgjithshëm i ushtrisë ukrainase më 27 shkurt, teksa forcat ukrainase dhe ruse po vazhdojnë luftimet e ashpra në lindje dhe verilindje të shtetit.
“Sipas informacioneve të qasshme, deri në 200 rekrutë nga rajoni Rostov janë transferuar përkohësisht në territorin e pushtuar në rajonin e Luhanskut”, u tha në deklaratën e ushtrisë ukrainase.
Shtabi i Përgjithshëm shtoi se gjatë ditës, Rusia ka kryer 12 sulme me dronët iranianë dhe mbi 55 sulme me raketa.
“Kërcënimi nga sulmet raketore është i lartë në mbarë territorin e Ukrainës”, tha ushtria.
Shefi i CIA-s, William Burns. Fotografi nga arkivi.
Më herët gjatë së hënës, dy punëtorë të shpëtimit u vranë nga sulmet ruse në perëndim të Ukrainës, njoftuan autoritetet lokale, teksa në gjithë Ukrainën u lëshuan alarme paralajmëruese për sulme ajrore në kohën kur Rusia po kryente sulme me dronë të prodhimit iranian.
Shtabi i Përgjithshëm i ushtrisë ukrainase tha po ashtu se gjatë natës ka arritur të rrëzojë 11 nga 14 dronët e lëshuar nga Rusia.
Sipas autoriteteve ushtarake, në 24 orët e fundit trupat ruse kanë kryer 81 operacione ofensive kundër mbrojtësve ukrainas në Bahmut, Avdijvka dhe Shahtarsk në rajonin e Donjeckut dhe në Kupjansk në rajonin e Harkivit.