Rusia përgjon takimin ushtarak: Oficerët gjermanë folën për një sulm raketor në Krime! Medvedev: Rivalët e përjetshëm u rikthyen në armiq

Disa përgjime, me sa duket me origjinë nga Rusia, të oficerëve të ushtrisë gjermane që diskutojnë për transferimin e raketave ajër-tokë me rreze të gjatë veprimi në Urkanië, si dhe objektivat e mundshëm, ka shkaktuar shqetësim serioz në Gjermani.

Audio e përgjimit është postuar në mediat sociale nga kreu i kanalit shtetëror rus RT. Audioja 38-minutëshe u postua në mediat sociale të premten nga Margarita Simonyan, e cila tha se ishte dëshmi se Gjermania po planifikonte sulme në Krime.

Audioja tregon diskutime rreth përdorimit të mundshëm nga forcat ukrainase të raketave Taurus të prodhimit gjerman dhe efektet e tyre të mundshme.

Oficerët e Forcave Ajrore, raporton BBC , po diskutonin se si raketat mund të godasin Urën e Kerçit, e cila lidh Rusinë me Krimenë e kontrolluar nga Rusia.

Sipas revistës Der Spiegel, videokonferenca nuk është mbajtur në një rrjet të brendshëm të koduar të ushtrisë, por në platformën WebEx, ndaj lidhja nuk ka qenë aspak e sigurt.

Një zëdhënëse e ministrisë gjermane të Mbrojtjes konfirmoi se ishte një bisedë mes oficerëve të forcave ajrore, por tha se ajo “nuk ishte në gjendje të thoshte me siguri” nëse zërat ishin ndryshuar përpara publikimit, shkruan albeu.com.

Nga ana e tij, kancelari gjerman Olaf Scholz e quajti rrjedhjen “një çështje shumë serioze dhe kjo është arsyeja pse ajo tani po hetohet me shumë kujdes dhe shumë intensivisht” .

Moska shprehu zemërimin e saj, ndërsa zëdhënësja e ministrisë së Jashtme ruse Maria Zakharova që kërkoi një shpjegim të menjëhershëm nga Gjermania.

“Përpjekjet për të shmangur përgjigjen e pyetjeve do të konsiderohen si pranim i fajit”, tha ajo.

Me tone të larta ishte komenti i ish-presidentit dhe nënkryetarit të Këshillit të Sigurimit, Dmitri Medvedev, i cili shkruante në Telegram se “Rivalët tanë të përjetshëm – gjermanët – janë kthyer sërish në armiqtë tanë të betuar”.

Ukraina i ka kërkuar Gjermanisë t’i furnizojë me raketa Taurus , të cilat kanë një rreze veprimi deri në 500 kilometra. Megjithatë, qeveria Solz ka refuzuar deri më tani, nga frika se kjo do të çonte në një përshkallëzim të konfliktit.

Franca dhe Britania e kanë furnizuar Kievin me raketa Scalp, të cilat kanë gjysmën e rrezes së atyre gjermane./albeu.com


Shtuar 2.03.2024 20:47