Rusia njofton tërheqjen nga Stacioni Hapësinor Ndërkombëtar

Rusia do të tërhiqet nga Stacioni Ndërkombëtar i Hapësirës pas vitit 2024 dhe do të përqëndrohet në ndërtimin e një stacioni të saj orbital, tha të martën shefi i ri i agjencisë shtetërore ruse të hapësirës, mes tensioneve të larta midis Moskës dhe Perëndimit për konfliktin në Ukrainë.

Yuri Borisov, i emëruar këtë muaj në krye të agjencisë Roscosmos, tha gjatë një takimi me Presidentin Vladimir Putin se Rusia do të përmbushë detyrimet ndaj partnerëve të saj përpara tërheqjes.

“Kemi marrë tashmë vendimin për t’u larguar nga stacioni pas vitit 2024”, tha Borisov. “Mendoj se deri në atë kohë ne do të fillojmë të ndërtojmë një stacion orbital rus”, shtoi ai.

Deklarata e zotit Borisov rikonfirmoi deklaratat e mëparshme të zyrtarëve rusë të hapësirës për qëllimin e Moskës për t’u larguar nga stacioni hapësinor pas vitit 2024, kur skadojnë marrëveshjet aktuale ndërkombëtare për funksionimin e tij.

NASA dhe partnerë të tjerë ndërkombëtarë shpresojnë të mbajnë stacionin hapësinor në funksion deri në vitin 2030, ndërsa rusët kanë hezituar të marrin angazhime përtej vitit 2024.

NASA ende nuk ka bërë komente lidhur me këtë njoftim.

Stacioni hapësinor drejtohet bashkërisht nga agjencitë hapësinore të Rusisë, Shteteve të Bashkuara, Evropës, Japonisë dhe Kanadasë. Pjesa e parë u vendos në orbitë në vitin 1998, dhe stacioni ka pasur ekuipazh në bord vazhdimisht për gati 22 vjet. Ai përdoret për kërkime shkencore në kushtet e mungesës së gravitetit dhe për të bërë prova me pajisje për udhëtimet e ardhshme hapësinore.

Stacioni Ndërkombëtar i Hapësirës zakonisht ka një ekuipazh prej shtatë vetash, të cilët kalojnë disa muaj në bord, ndërsa ai ndodhet në orbitë rreth 400 kilometra nga Toka. Tre rusë, tre amerikanë dhe një italian janë tani në bord.

Kompleksi, i cili është i gjatë sa një fushë futbolli, përbëhet nga dy seksione kryesore, një i drejtuar nga Rusia, tjetri nga Shtetet e Bashkuara dhe vendet e tjera. Nuk është e qartë se çfarë do të ndodhë me pjesën ruse të stacionit hapësinor pas tërheqjes së Moskës.

Njoftimi rus pritet të nxisë spekulime se është pjesë e manovrave të Moskës për të siguruar një lehtësim të sanksioneve perëndimore, të lidhura me konfliktin në Ukrainë.

Paraardhësi i zotit Borisov, Dmitry Rogozin, tha muajin e kaluar se Moska mund të marrë pjesë në negociatat për një zgjatje të mundshme të operacioneve të stacionit vetëm nëse Shtetet e Bashkuara heqin sanksionet e saj kundër industrisë ruse të hapësirës.

Pasi kompania SpaceX e Elon Muskut filloi të dërgojë astronautët e NASA-s në stacionin hapësinor, Agjencia Ruse e Hapësirës humbi një burim të madh të ardhurash. Për vite me radhë, NASA paguante dhjetëra miliona dollarë për dërgimin e një astronauti në Stacionin Ndërkombëtar të Hapësirës me anijet hapësinore ruse.

Pavarësisht tensioneve mbi Ukrainën, NASA dhe Roscosmos arritën një marrëveshje në fillim të këtij muaji për të vazhduar dërgimin e astronautëve amerikanë në hapësirë me anijet hapësinore ruse dhe dërgimin e astronautëve rusë në stacionin hapësinor me anijet hapësinore të kompanisë SpaceX, duke filluar në vjeshtë. Por fluturimet në hapësirë nuk do të përfshijnë asnjë shkëmbim parash.

Sipas NASA-s dhe zyrtarëve rusë, marrëveshja siguron praninë e të paktën një astronauti amerikan dhe një rus për të siguruar funksionimin pa probleme të dy sektorëve të stacionit hapësinor.

Moska dhe Uashingtoni bashkëpunuan në fushën e hapësirës edhe në kulmin e Luftës së Ftohtë, kur anijet hapësinore Apollo dhe Soyuz u ankoruan në orbitë në 1975 në misionin e parë ndërkombëtar hapësinor me ekuipazh në bord, duke ndihmuar në përmirësimin e marrëdhënieve mes Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Sovjetik.

NASA ka punuar me kompanitë amerikane për krijimin e stacioneve të tyre private hapësinore për të zëvendësuar përfundimisht Stacionin Hapësinor Ndërkombëtar. NASA shpreson që këto stacione hapësinore komerciale të fillojnë të funksionojnë nga fundi i kësaj dekade.


Shtuar 26.07.2022 19:52