Rusia do ta humbasë luftën energjetike që filloi Putini

Nga Agathe Demarais “Politico.eu”

Rusia e ka shndërruar në një armë ekonomike furnizimin me energji. Strategjia e saj është më se e qartë në Ukrainë, ku dronët dhe raketat ruse po bombardojnë termocentralet. Por është e dukshme edhe në Evropë, së cilës Moska ia ka mbyllur rubinetat e gazit, dhe ndoshta ka hedhur në erë edhe një tubacion gazi në veri.

Megjithatë, tashmë duket se plani i madh i presidentit rus Vladimir Putin do të dështojë. Në terma afatshkurtër, Putini do t’i shkaktojë dëme ekonomike reale vendeve të Bashkimit Evropian, dhe kjo gjë është e pashmangshme. Por në planin afatgjatë, Rusia nuk mund ta fitojë dot këtë luftë energjetike.

Manovra e Putinit vetëm sa do të përshpejtojë rënien e sektorit energjetik të vendit të tij, dhe nga ana tjetër do të përshpejtojë edhe humbjen e statusit të Rusisë si një superfuqi energjetike globale. Përdorimi i energjisë si një armë nga ana e Rusisë ka tre objektiva.

E para, që ishte e zbatueshme kur rubinetat e gazit ishin ende pak a shumë të hapura, ishte nxitja e pasigurisë dhe parandalimi që vendet e BE-së të përgatiteshin si duhet për atë që i priste. Objektivi i dytë ishte shkatërrimi i ekonomisë evropiane. Dhe në këtë front, strategjia e Rusisë po funksionon. Eurozona ka të ngjarë të hyjë në recesion vitin e ardhshëm.

Ndërkohë, synimi i tretë i Putinit ishte të nxiste ndarjet politike në Evropë, duke përhapur idenë se janë sanksionet ato që po e shkaktojnë krizën energjetike. Sigurisht, kjo është një përmbysje e shkakut dhe pasojës, pasi është vendimi i Rusisë për të pushtuar Ukrainën që po e shkakton krizën.

Megjithatë, kjo narrativë ka fituar njëfarë tërheqje në gjirin e Bashkimit Evropian. Në terma afatshkurtër, Evropa ndodhet në një gjendje të vështirë. Po përshkallëzohet një krizë serioze ekonomike dhe sociale, pasi çmimet e larta të energjisë nxisin inflacionin, dhe një krizë e kostos së jetesës, e cila mund të zgjasë për 2-3 vjet.

Për më tepër, gjërat mund të bëhen shumë më keq nga sa janë tani. Një dimër veçanërisht i ftohtë do të rriste kërkesën për energji, duke e përkeqësuar më tej krizën. Situata mund të rëndohet më shumë në sezonin dimëror 2023-2024, pasi këtë verë vendet evropiane arritën që të rimbushnin depozitat e tyre të gazit, pasi furnizimet me gazin rus vazhdonin ende edhe pse në nivele të reduktuara.

Por ata mund të mos jenë në gjendje ta bëjnë këtë përpara dimrit të ardhshëm. Pra nuk mund të mohohet se BE ka përpara kohë të vështira, por ajo mund të ketë njëfarë ngushëllimi për faktin se strategjia e Putinit do të dështojë. Shantazhi i Moskës i ka bindur një herë e mirë vendet e BE-së se Moska nuk është një furnizuese e besueshme e energjisë.

Për pasojë, Evropa po i dyfishon përpjekjet e saj për të hequr qafe varësinë e saj nga hidrokarburet ruse, me infrastrukturën e gazit të lëngshëm (LNG) që po ndërtohet me një ritëm shumë të shpejtë për të shtuar volumet e importeve nga Shtetet e Bashkuara, Australia dhe Katari.

Të parët nga shumë terminalet e reja të LNG-së do të hapen së shpejti edhe në Estoni, Letoni dhe Finlandë, ndërsa po negociohen kontrata të reja të furnizimin me gaz për të rritur furnizimin, për shembull nga Algjeria ose Norvegjia. Ndërkohë blloku po përshpejton edhe planet për zhvillimin e burimeve të rinovueshme të energjisë.

Në këto kushte, duket se brenda 3 viteve apo më shumë, Evropa nuk do të ketë më nevojë për naftën dhe gazin rus. Pas 2 muajsh, blloku do të heqë dorë nga pothuajse të gjitha importet e naftës ruse, duke i detyruar kompanitë ruse të naftës të kërkojnë blerës alternativë për naftën e tyre.

Kjo gjë nuk duhet të jetë shumë e vështirë, pasi kërkesa nga Kina, India dhe disa vende të tjera në zhvillim është ende e lartë. Megjithatë, këto vende nuk do të jenë një zëvendësues i përsosur për tregun evropian – që ishte dikur blerësi më i madh i hidrokarbureve ruse – pasi tani Moska do të duhet të ulë ndjeshëm çmimin e naftës së saj të papërpunuar.

Përveç kësaj, SHBA-ja mund të nisë vendosjen e sanksione dytësore ndaj eksporteve ruse të naftës, duke i kufizuar akoma më tej eksportet ruse. Ndërkohë, pozita e Kremlinit duket edhe më e keqe kur flitet për gazin. Rusia e eksporton gazin e saj nëpërmjet tubacioneve, të cilat aktualisht janë të pozicionuara për t’i shërbyer Evropës.

Dhe ndërtimi i tubacioneve të reja në vend të tyre, do të kërkojë shumë kohë dhe para, dhe që të dyja këto mungojnë. Eksportimi i gazit nëpërmjet tubacioneve, nënkupton gjithashtu nënshkrimin e kontratave të reja me blerës të gatshëm. Dhe sërish këto gjërat duken shumë të vështira për Moskën, pasi Kina është aktualisht i vetmi vend që mund të blejë më shumë gaz rus, por për momentin Pekini nuk po nxiton që ta shfrytëzojë këtë rast.

Dhe kjo nuk është një surprizë. Rritja e kërkesës për gaz në Kinë është ngadalësuar, ndërsa me sjelljen e saj Rusia e ka bërë të qartë se nuk është një furnizuese e besueshme e energjisë. Kjo është diçka që nuk do të harrohet nga udhëheqësit kinezë, ndaj ashtu si evropianët edhe ata do të përpiqen të shmangin varësinë nga gazi rus.

Duke pasur parasysh gjithë këtë, nuk është e tepruar të thuhet se perspektiva duket e tmerrshme për sektorin energjetik rus, që përfaqëson 1/3 e ekonomisë së vendit, rreth gjysmën e të ardhurave fiskale, dhe afro 2/3 e eksporteve të saj. Parashikimet e fundit të Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë (IEA), supozojnë se të ardhurat vjetore të Rusisë nga eksportet e energjisë do të bien me më shumë se gjysmën deri në vitin 2030, deri në 30 miliardë dollarë nga 75 miliardë dollarë, që ishin para fillimit të luftës në Ukrainë.

Po ashtu, IEA beson se deri në vitin 2030, pjesa e Rusisë në tregun global ta gazit do të ketë rënë në vetëm 15 për qind, krahasuar me 30 për qind në vitin 2021. Përfundimi për Moskën është i qartë: gjatë dekadës së ardhshme, ajo do të humbasë statusin e saj si një superfuqi globale energjetike.

Por problemet e Kremlinit nuk do të mbarojnë këtu. Për shkak të sanksioneve, kompanitë energjitike ruse nuk kanë më qasje në financimin dhe teknologjinë perëndimore.

Për Kremlinin, ky është një kërcënim ekzistencial. Rezervat e fushave të tyre energjetike aktuale po shterohen gradualisht, dhe megjithëse kanë fusha të reja në Arktik, zhvillimi i tyre do të kërkojë shuma të mëdha parash dhe një teknologji perëndimore të nivelit të lartë.

Duke mos pasur qasje tek asnjëra prej tyre, prodhimi i energjisë ruse do të bjerë dalëngadalë në dekadat e ardhshme. E shoqëruar me një rënie të kërkesës për lëndët djegëse fosile, ndërsa bota po kalon drejt burimeve të rinovueshme, kjo do të thotë se lufta energjetike e nisur nga vetë Putin, mund të përfundojë keq vetëm për Rusinë.

Shënim: Agathe Demarais, drejtoreshë globale e parashikimeve në Njësinë e Inteligjencës të revistës “The Economist”.

/albeu.com


Shtuar 12.11.2022 13:48