Ruajtja e një fronti të bashkuar kundër Rusisë dhe Kinës po bëhet më e vështirë

Nga Gideon Rachman “Financial Times

Përktheu: Alket Goce-AlbEu.com

Në vitin 2022, diçka e mirë doli nga diçka e keqe. Pushtimi rus i Ukrainës çoi në një shfaqje të jashtëzakonshme të unitetit dhe vendosmërisë nga ana e botës demokratike. SHBA, BE, Britania e Madhe, Japonia, Koreja e Jugut, Kanadaja dhe Australia vendosën sanksione ekonomike të paprecedenta ndaj Rusisë.

Ukrainës iu dhanë miliarda dollarë mbështetje ushtarake dhe ekonomike. Në Evropë, Gjermania premtoi të bënte ndryshime historike në politikat e saj të mbrojtjes dhe energjisë. Finlanda dhe Suedia aplikuan për anëtarësim në NATO. Armiqësia e Kinës ndaj Tajvanit dhe njoftimi i saj mbi një partneritet “pa kufij” me Rusinë shkaktoi një reagim në rajonin e Indo-Paqësorit.

Japonia njoftoi një rritje të madhe të shpenzimeve të saj ushtarake. Filipinet i forcuan lidhjet me Amerikën. Vendet e QUAD – India, Japonia, Australia dhe SHBA – mbajtën një samit. Demokracitë në Evropë dhe Azi nisën të punojnë më ngushtë me njëra-tjetrën.

Për herë të parë Japonia, Koreja e Jugut dhe Australia morën pjesë një samit të NATO-s.

Por këtë vit, do të jetë shumë më e vështirë të ruhet uniteti i demokracive të përparuara. Udhëheqja aktive dhe e angazhuar e SHBA-së ka qenë vendimtare për reagimin e botës demokratike ndaj partneritetit Rusi-Kinë.

Por tensione serioze po shfaqen në horizont midis Uashingtonit dhe aleatëve të tij. Në Evropë, mosmarrëveshjet kryesore janë strategjike dhe ekonomike. Aleanca perëndimore është haptazi e ndarë në lidhje me ndihmën e ardhshme ushtarake për Ukrainën.

Këto ndarje u shfaqën plotësisht në një takim të aleatëve në Ramstein të premten, kur Gjermania i rezistoi presionit të madh për të lejuar transferimin në Ukrainë të tankeve të saj Leopard. Ndërsa titujt e mediave pas takimit u fokusuan tek izolimi i Gjermanisë, ndarjet brenda aleancës perëndimore janë më komplekse sesa kaq.

Në të ekziston një fraksion i “skifterëve” që përfshin Poloninë, vendet nordike, shtetet baltike dhe Britaninë e Madhe, i cili po bën presion për transferimin e shpejtë të armatimit më të avancuar, përfshirë tanket, në Ukrainë. SHBA-ja është e pozicionuar diku në mes, midis “skifterëve” dhe gjermanëve tejet të kujdesshëm.

Të parët shqetësohen se administrata Biden e ka lejuar veten të trembet nga kërcënimi i luftës bërthamore, duke u shfaqur shumë i ndrojtur për dërgimin e armëve të përparuara, siç janë raketat me rreze më të gjatë. Por kritikat janë të heshtura, sepse SHBA-ja është deri më sot donatorja më e madhe e ndihmës ushtarake dhe financiare për Ukrainën.

Për momentin këto lloj ndarjesh janë të menaxhueshme. Por nëse lufta kthehet kundër Ukrainës këtë pranverë, akuzat mund të bëhen serioze. Tensionet midis SHBA-së dhe Evropës kanë gjithashtu edhe një dimension ekonomik. Shumë zyrtarë në BE e akuzojnë Uashingtonin për proteksionizëm, duke ofruar subvencione të mëdha për industritë e saj të gjelbra dhe automjetet elektrike brenda SHBA-së.

Përgjigja e përbashkët e SHBA-së – që Evropa duhet të sigurojë subvencionet e veta për teknologjinë e gjelbër – mund të jetë jo-realiste. Lejimi i shteteve për të subvencionuar industritë e tyre mund të hidhte në erë tregun e përbashkët të BE-së, ndërsa një regjim i unifikuar i subvencioneve të BE-së do të ngjallte menjëherë debate se si u mblodhën paratë dhe ku u shpenzuan.

Pas kësaj fshihet një frikë në rritje se SHBA-ja po ia kalon Evropës ekonomikisht, dhe se lufta në Ukrainë po e përshpejton këtë proces. Industrialistët evropianë theksojnë avantazhet kryesore që gëzon SHBA: energjia e lirë, territori i bollshëm, lidershipi teknologjik dhe monedha rezervë botërore.

Pastaj është Kina. Gjuha konfrontuese dhe qëndrimet e forta ndaj Pekinit janë tashmë rutinë në politikën amerikane. Shumica e qeverive evropiane dhe aziatike janë ende të mbrojtura. Kina është sot e meta e madhe më e mundshme në marrëdhëniet midis Amerikës dhe aleatëve të saj aziatikë.

Japonia, Australia, Koreja e Jugut dhe Filipinet janë aleatë të traktatit të SHBA-së dhe bien dakord për nevojën e forcimit të parandalimin ushtarak të Kinës. Por të gjithë janë të kujdesshëm se sa larg mund të shkojë Amerika me shkëputjen ekonomike nga gjiganti aziatik.

Unë e vura re këtë ndarje të mendimeve gjatë udhëheqjes së një seance diskutimesh mbi Japoninë në Forumin Ekonomik Botëror që u mbajt javën e kaluar. Një pjesëmarrës nga SHBA, Stephen Pagliuca, bashkëkryetari në largim i “Bain Capital”, argumentoi se demokracitë e botës do të tregtojnë gjithnjë e më shumë mes tyre.

Ai përmendi luftën në Ukrainë si një paralajmërim për vendet që janë bërë shumë të varura ekonomikisht nga një autokraci. Tak Niinami, shefi ekzekutiv i kompanisë së pijeve me bazë në Tokio, Suntory Holdings, ishte i kujdesshëm ndaj këtij argumenti, dhe e mirëpriti faktin që po rritet tregtia e Japonisë me Kinën.

Singaporianët – partnerët kryesorë të SHBA-së si në tregti po ashtu edhe në siguri – janë të alarmuar për shtrirjen e gjerë të kufizimeve të Amerikës ndaj eksporteve të teknologjisë në Kinë. Ata shqetësohen se kjo do të çojnë në një rritje të mëtejshme të rrezikshme të tensioneve SHBA-Kinë.

Po ashtu ka shqetësime se masat e SHBA-së kundër zinxhirëve të furnizimit në Kinë do ta bëjnë industrinë më pak efikase dhe do të rritin inflacionin. Që të gjitha këto tensione mund të sjellin telashe mbi përpjekjet për të ruajtur bashkëpunimin midis demokracive në Evropë, Azi dhe Amerikë gjatë këtij viti.

Por teksa ndarjet brenda “Perëndimit global” janë të dallueshme, ato mund të ngushtohen

nga ndryshimet e zgjuara të politikave. Politikë-bërësit amerikanë janë gjithnjë e më të vetëdijshëm mbi ankthin e evropianëve në lidhje me Aktin e Reduktimit të Inflacionit,

dhe mund të përpiqen të ndryshojnë ligjin.

Një politikë më e zbutur në lidhje me eksportet e teknologjisë në Kinë do t’i qetësonte aleatët. Mbi të gjitha, aleatët e NATO-s duhet të bien dakord për një qëndrim të përbashkët në lidhje me furnizimet me armë të Ukrainës. Dhe duhet ta bëjnë shpejt këtë gjë, përpara se luftimet të intensifikohen sërish pranverën që po vjen. Uniteti midis aleatëve demokratë që u arrit në vitin 2022 ishte një gjë e çmuar. Ai nuk duhet të zhduket këtë vit.


Shtuar 26.01.2023 06:19