Pas një nate me bombardime intensive nga rebelët Huthi, që lanë dhjetëra të plagosur dhe goditën disa vendbanime në jug të vendit, Arabia Saudite ka lëshuar një paralajmërim të prerë.
Të lidhura
None found
Ministria e Punëve të Jashtme saudite i cilësoi sulmet si krejtësisht të papranueshme dhe theksoi se mbretëria nuk do të lejojë më asnjë akt armiqësor kundër hapësirës dhe pasurive të saj. Përmes një komunikate të shpërndarë në platformat digjitale, autoritetet i etiketuan Huthitë si ndjekës të një “strategjie të hapur konfrontimi dhe praktikash kriminale”, që rrezikojnë si sigurinë e brendshme ashtu edhe atë rajonale.
Sipas Riadit, grupi rebel ka injoruar në mënyrë të përsëritur çdo iniciativë për të arritur një zgjidhje paqësore.
Diplomacia saudite nënvizoi se mbretëria rezervon të drejtën e padiskutueshme për të ndërmarrë çdo hap të domosdoshëm në funksion të mbrojtjes së sovranitetit dhe sigurisë së saj. “Mbretëria rikonfirmon autoritetin e saj ligjor për të adoptuar të gjitha mjetet e nevojshme në mbrojtje të pavarësisë, për të siguruar infrastrukturën kombëtare dhe për të mbrojtur qytetarët dhe rezidentët e saj”, citohej në njoftim.
Deklarata përmbante gjithashtu një paralajmërim të qartë për “ndëshkime” nëse vazhdojnë goditjet ndaj popullatës civile dhe tokës saudite. “Mbretëria nuk do të mbyllë sytë para asnjë sulmi që merr në shënjestër territorin dhe pronat e saj,” u shpreh ministria, duke evokuar normat e legjislacionit ndërkombëtar.
Megjithë retorikën e vendosur, Riadi kërkoi njëkohësisht ndërprerjen urgjente të çdo lloj veprimtarie përshkallëzuese.
Ky qëndrim vjen si përgjigje ndaj një serie sulmesh me raketa dhe mjete ajrore pa pilot nga ana e kryengritësve Huthi, që gëzojnë mbështetjen e Iranit. Gjeneralmajor Turki Al-Maliki, zëdhënësi i aleancës të komanduar nga Arabia Saudite, konfirmoi se të paktën 73 vetë, mes tyre gra dhe të mitur, mbetën të lënduar.
Forcat Huthi kishin vënë në shënjestër, sipas burimeve zyrtare saudite, objektiva rezidenciale dhe ekonomikë në Abha, Khamis Mushait, Jazan dhe Najran. Për pasojë shpërthyen edhe zjarre në disa instalime në sektorin jugor të vendit, teksa disa veprimtari të sektorit energjetik u pezulluan për një periudhë të shkurtër.
Breshëria e fundit përbën një intensifikim të ndjeshëm të përplasjeve mes dy palëve, pas një faze qetësie relative që pasoi marrëveshjen e armëpushimit të vitit 2022. Prej muajit korrik, tensionet kanë marrë sërish hov, me goditje me raketa dhe dronë kundrejt pozicioneve saudite, përfshirë komplekset e energjisë dhe mjetet lundruese që kalojnë në Detin e Kuq.
Rebelët kanë shpallur gjithashtu një embargo detare ndaj anijeve saudite dhe kanë sinjalizuar synimin për të shtuar presionin. Paralelisht, janë shënuar përleshje të reja në terren brenda Jemenit mes mbështetësve të Huthive dhe trupave të asistuara nga Riadi.
Këto episode të fundit kanë ushqyer shqetësimet për një zgjerim të mundshëm të konfliktit, që mund të rrezikojë stabilitetin e gjithë zonës dhe rrjetin jetik energjetik saudit.
