Tërmeti i fortë që goditi Venezuelën ka çuar në një bilanc edhe më të rëndë të viktimave. Të paktën 164 persona kanë humbur jetën, ndërsa 971 të tjerë janë konfirmuar të plagosur, bëri të ditur presidentja në detyrë e Venezuelës, Delcy Rodríguez.
Rodríguez deklaroi se pas dy goditjeve kryesore janë regjistruar të paktën 30 pasgoditje, çka ka vështirësuar ndërhyrjet e ekipeve të shpëtimit dhe ka mbajtur popullsinë në gjendje alarmi.
Të lidhura
None found
Autoritetet kanë paralajmëruar se numri i viktimave mund të rritet edhe më tej, ndërsa ekipet e kërkim-shpëtimit vazhdojnë operacionet në zonat ku shumë ndërtesa janë shembur ose kanë pësuar dëme të rënda.
Presidentja në detyrë tha gjithashtu se Venezuela po bashkëpunon me Kombet e Bashkuara për dërgimin e ekipeve të shpëtimit. Paralelisht, po punohet edhe për ngritjen e një fondi fillestar prej 200 milionë dollarësh për rindërtimin.
Ajo u bëri thirrje qytetarëve të ruajnë qetësinë dhe unitetin, duke theksuar se duhet të qëndrojnë në banesat e tyre vetëm nëse strukturat janë të sigurta.
Në të njëjtën kohë, autoritetet po vazhdojnë kontrollet në ndërtesat e dëmtuara, ndërsa mbetet frika se bilanci tragjik mund të thellohet në orët në vijim.
