Një anije që transportonte gaz të lëngshëm nafte ka shënuar një rekord të ri, pasi pagoi 5.3 milionë dollarë për të kaluar më shpejt nëpër Kanalin e Panamasë.
Të lidhura
None found
Pagesa u krye nga kompania koreano-jugore SK Gas, e cila fitoi një ankand për t’i garantuar anijes së saj, G. Spirit, kalimin në kanal më 1 shtator, raportoi Bloomberg.
Illia Espino de Marotta, administratori i Autoritetit të Kanalit të Panamasë, tha se kjo është shuma më e madhe e paguar deri tani në një ankand të këtij lloji.
“Kohët e fundit kemi mbajtur tre ankande mjaft të larta”, u shpreh Espino de Marotta, duke theksuar se 5.3 milionë dollarët përbëjnë “shumën më të lartë” të regjistruar ndonjëherë.
Rritja e vlerës së ankandeve lidhet me kufizimin e numrit të anijeve që mund të përshkojnë kanalin çdo ditë. Autoriteti i Kanalit të Panamasë ka marrë këtë masë për shkak të rënies së niveleve të ujit, të ndikuar nga fenomeni El Niño.
Funksionimi i kanalit mbështetet te uji i shiut që grumbullohet në liqenet artificiale Gatun dhe Alajuela. Megjithatë, niveli i këtyre rezervuarëve ka rënë ndjeshëm, duke kufizuar kapacitetin e kalimeve.
Që nga 3 shtatori, sipas planit të autoriteteve, kalimet ditore do të zbresin nga 36 në 34 anije. Një tjetër ulje do të aplikohet më 15 shtator, kur numri i tranziteve do të shkojë në 32 anije në ditë.
Kanali i Panamasë, me gjatësi rreth 80 kilometra, konsiderohet një pikë kyçe për tregtinë ndërkombëtare. Nëpër të kalon rreth 5% e gjithë tregtisë detare botërore.
Afërsisht 9 në 10 anije që përdorin kanalin kanë një rezervim të planifikuar. Vendet e tjera të disponueshme, së bashku me hapësirat e krijuara nga ndryshimet e papritura të orareve, ofrohen përmes ankandeve.
Gjatë muajve të fundit, çmimet e këtyre vendeve janë rritur ndjeshëm. Në prill, një anije pagoi rreth 4 milionë dollarë për kalimin, në një periudhë kur kërkesa për transportin e hidrokarbureve u shtua dhe trafiku detar u ndikua nga bllokada e Ngushticës së Hormuzit.
Espino de Marotta shpjegoi se vlera e ankandit përcaktohet nga kërkesa e tregut. Autoriteti cakton një çmim fillestar, ndërsa kompanitë garojnë mes tyre për vendet e kufizuara të kalimit.
Të dhënat e Autoritetit të Kanalit të Panamasë tregojnë se nga tetori 2025 deri në shkurt 2026, një vend i siguruar përmes ankandit kushtonte mesatarisht rreth 55 mijë dollarë. Që prej asaj kohe, çmimi është rritur rreth trefish, ndërsa pagesa prej 5.3 milionë dollarësh vendosi një rekord të ri.
