Protestë në Mal të Zi, kërkohet lirimi i ushtarëve të arrestuar në Kosovë

Para Parlamentit të Malit të Zi më 2 dhjetor është mbajtur një tubim në mbështetje të qytetarëve malazezë të cilët u arrestuan më 24 nëntor në Kosovë, për shkak të mbishkrimit “Kosova është Serbi” në targat e makinës, që ata përdorën për të udhëtuar në Manastirin e Deçanit.

Dy nga tre të arrestuarit janë pjesë e Ushtrisë së Malit të Zi dhe ndaj tyre është shqiptuar masa e paraburgimit prej një muaji për “nxitje të urrejtjes dhe jotolerancës”.

Protesta, ku u kërkua lirimi i tyre, u organizua nga një organizatë rinore ortodokse.

“Rinia kërkon që shteti të mbrojë qytetarët e saj, në mënyrë që të gjithë të mund të vizitojnë vendet e tyre të shenjta. Nëse nuk ka reagim nga shteti, ne do të mblidhemi në numra më të mëdhenj”, tha Lazar Bëboriq, një nga protestuesit.

Kërkesa e protestuesve është mbështetur nga kryetari i Parlamentit, Andrija Mandiq, që është një nga udhëheqësit e partisë së shpërbërë proruse dhe proserbe, Fronti Demokratik.

“Nga momenti i arrestimit të tyre, unë po bëj gjithçka që kam në duar si kryetar i Parlamentit, në mënyrë që ministritë kompetente të Qeverisë së Malit të Zi të kthejnë në shtëpi qytetarët e burgosur, të pafajshëm, të Malit të Zi dhe pjesëtarët e ushtrisë sonë”, tha ai.

Një nga provokimet e organizatave pro-serbe në Mal të Zi drejtuar kundër Kosovës, fotografi ilustruese nga arkivi.

Më herët, Kisha Ortodokse Serbe në Mal të Zi ka bërë kërkesë të njëjtë dhe ka “bërë protestë të ashpër” për autoritetet në Kosovë për shkak të arrestimit të besimtarëve, por notë proteste u ka dërguar edhe autoriteteve të Malit të Zi.

Gjykata Themelore në Pjesë ka shqiptuar masën e paraburgimit prej një muaji për Rajko Krivokapiq 34 vjeç, Marinko Jovanoviq 24 vjeç, dhe Dragutin Llallatoviq 24 vjeç.

Avokatja e tyre, Jovana Filipoviq, tha për mediat në Kosovë se do të bëjë ankesë, duke theksuar se vendimi i Gjykatës ishte shumë i ashpër.

Pas arrestimit të tyre, ministri i Mbrojtjes i Malit të Zi, Dragan Krapoviq, tha se dy nga tre të arrestuarit ishin pjesëtarë të Ushtrisë së Malit të Zi, dhe “ata zyrtarisht ndodhen në pushim mjekësor”.

“Bëhet fjalë për pjesëtarë të mirë dhe shembullorë të ushtrisë”, tha Krapoviq.

Partitë politike proserbe në Mal të Zi, si dhe Kisha Ortodokse Serbe, nuk e njohin Kosovën si shtet të pavarur, por e konsiderojnë si territor të Serbisë.

Mali i Zi e ka njohur pavarësinë e Kosovës në vitin 2008, gjatë qeverisjes së Partisë Demokratike të Socialistëve, e cila u rrëzua nga pushteti në gusht të vitit 2020. REL


Shtuar 2.12.2024 20:13