Pronari i banesës ekzekutoi “skifterin” shqiptar në Itali/ 60-vjeçari pranon krimin, trupin e varrosi pranë një fushe sportive, i riu do të martohej për pak ditë

Detaje të reja janë zbardhur në lidhje me gjetjen e trupit të pajetë të një 25-vjeçari shqiptar në Itali. Shqiptari gjeti vdekjen pasi të dielën në mbrëmje u qëllua me armë zjarri gjatë një tentative për vjedhje në Foria di Centola, në provincën e Salernos.

Që nga nata e grabitjes i riu ishte zhdukur dhe familjarët po e kërkonin pa e ditur fatin e tij tragjik. I riu u vra nga pronari i banesës ku ai së bashku më dy persona të tjerë tentuan të kryenin grabitjen. Pas vrasjes pronari ka varrosur trupin e të riut ndërsa la të plagosur në gjendje të rëndë edhe bashkëpunëtorin e 25-vjeçarit.

Trupi i tij është gjetur i varrosur pranë fushës sportive në zonën San Severino, pas rrëfimit të pronarit 60-vjeçar të banesës që u tentua të grabitej. Ai i shoqëruar nga avokati, është paraqitur këtë mëngjes në Prokurori, në gjendje të rënduar emocionale, ku ka rrëfyer vrasjen dhe vendin ku kishte fshehur trupin.

Gjatë një dëshmie të gjatë, ai ka treguar se kishte qëlluar mbi të riun pas përplasjes me grabitësit, dhe më pas kishte transportuar trupin në një truall që i përkiste vëllait të tij, ku e kishte varrosur. Në momentin e grabitjes, autorët kishin arritur të merrnin edhe një armë zjarri, e cila dyshohet se mund të jetë përdorur gjatë përplasjes me armë.

I riu, i cili humbi jetën ishte babai i një fëmije dhe do të martohej për pak ditë. Një tjetër shqiptar është plagosur rëndë në gjoks dhe ndodhet në gjendje kritike në spitalin “Cardarelli” të Napolit, ndërsa personi i tretë është ende në kërkim nga autoritetet italiane.


Shtuar 25.06.2025 18:42