Pluhuri saharian mbulon edhe qiellin e Zvicrës, 180 tonë grimca në ajër

Një sasi e madhe rëre nga Saharaja ka mbuluar qiellin zviceran që nga e premtja, duke ulur në mënyrë dramatike dukshmërinë dhe duke i dhënë dritës së diellit një nuancë të verdhë në pjesën më të madhe të vendit.

“Ardhja e rërës nga Sahara çon në një reduktim shumë të qartë të dritës së diellit dhe dukshmërisë. Ka gjithashtu një rritje të përqendrimit të grimcave të imta”, thekson shërbimi meteorologjik zviceran MétéoSwiss në një mesazh për X.

Ndërsa rëra grumbullohet nën 3000 metra, cilësia e ajrit është përkeqësuar ndjeshëm, nga brigjet e liqenit të Gjenevës në pjesën tjetër të vendit.

AirCHeck, aplikacioni i lançuar nga kantonet për të ofruar të dhëna në kohë reale për cilësinë e ajrit në Zvicër, raporton se ndotja e ajrit është e lartë në një rreze nga jugperëndimi në verilindje të vendit. Pluhuri arriti në rreth 180,000 tonë, sipas modeleve të llogaritjes së përdorur, tha për radion publike meteorologu Roman Broly i SRF Meteo.

Tashmë të premten, një erë e fortë jugore kishte bartur rërë nga Sahara nga Afrika veriore në Zvicër. Sahara është burimi më i madh i pluhurit mineral, që çliron nga 60 deri në 200 milionë ton në vit, dhe ndërsa grimcat më të mëdha bien shpejt në tokë, ato më të voglat mund të transportohen mijëra kilometra dhe të arrijnë nëpër Evropë.


Shtuar 30.03.2024 18:14