Plas dhuna e bandave, Haiti në kaos: BE tërheq personelin!

Dhuna e bandave e ka zhytur sërish Haitin në anarki.

Diplomatët perëndimorë po largohen nga kryeqyteti, ndërsa kryeministri vetë ndodhet jashtë vendit. BE ka evakuuar të gjithë personelin diplomatik nga ky shtet i Karaibeve, e siç pohoi një zëdhënës i saj, pjesëtarët e stafit diplomatik janë transferuar jashtë kufijve të tij, në një vend të sigurt.

“BE-ja është “jashtëzakonisht e shqetësuar” për zhvillimet gjatë ditëve të fundit në Haiti”, tha zëdhënësi. SHB-ja po ashtu është duke e tërhequr personelin diplomatik nga Port-au-Prince dhe po forcon sigurinë në ambasadë me forca sigurie shtesë. Të dielën, edhe Ministria e Jashtme në Berlin deklaroi, se ambasada gjermane dhe përfaqësuesi i përhershëm janë larguar nga shteti i Karaibeve drejt Republikës Dominikane. Një zëdhënës i Ministrisë së Jashtme e argumentoi këtë masë me “gjendjen e tensionuar dhe të paparashikueshme të sigurisë”, teksa foli për rrethana “të tmerrshme”.

Bandat e mëdha dhe të mirëarmatosura kanë mbërritur në një nivel të tillë organizimi sa po e sfidojnë me forcë aparatin shtetëror vendas. Qeveria e Haitit është detyruar të kërkojë ndihmë nga trupa ndërkombëtare mbrojtëse, për të ndihmuar në rivendosjen e sigurisë dhe të rendit. Kenia është shprehur deri tani e gatshme të ofrojë ndihmë.

Bandat që kanë arritur të kontrollojnë në masë të madhe kryeqytetin Prince si dhe rrugët në pjesë të tjera të vendit, janë duke sulmuar rajonet e policisë, burgjet dhe gjykatat dhe kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Ariel Henry, i cili duhet të ishte larguar nga posti që në shkurt, por ra dakord me opozitën për të qeverisur së bashku deri në zhvillimin e zgjedhjeve të reja.


Shtuar 12.03.2024 12:46

Tags: , ,