“Nëse të kafshon një prej tyre, ta këput gishtin fare”, shprehet peshkatari Alexis Charlambakis nga varka e tij e ankoruar në portin e Ierapetrës, në jug të Kretës, ndërsa u hap nofullat një peshku balonë të kapur pak më parë.
Kjo specie, e pajisur me dhëmbë tepër të fortë dhe me një oreks të madh, i ka dëmtuar rëndë rrjetat dhe po godet rezervat e peshkut. Përhapja e saj në Mesdheun Lindor është nxitur edhe nga rritja e temperaturave të detit.
Të lidhura
None found
“E hëngri peshkun dhe preu litarin. Shikoni dëmin, pajisjet tona të peshkimit janë bërë të pavlefshme”, thotë Alexis Charlambakis, peshkatar.
Peshku balonë, një specie pushtuese që parapëlqen ujërat e ngrohta, u shfaq për herë të parë në ujërat greke rreth 20 vite më parë. Sot ai po i shkakton goditje të fortë sektorit të peshkimit, që është një nga shtyllat e eksporteve të Greqisë. Në brigjet e Kretës, peshkatarët po përballen me rënie të kapjeve për shkak të kësaj specieje. Nga rreth 200 specie të së njëjtës familje që jetojnë në ujëra të ngrohta në botë, tre tashmë janë identifikuar në Mesdheun Lindor.
Përtej toksinës së fuqishme që e bën të rrezikshëm për konsum, ky peshk ka një gojë në formë sqepi me forcë të tillë sa mund të kafshojë dru dhe metal. Si pasojë, ai shkatërron kapjen e përditshme të peshkatarëve dhe gris edhe rrjetat e tyre.
“Shteti nuk ka bërë sa duhet për të na ndihmuar të përballemi me këta peshq, por duhet ta bëjë”, deklaron Kostis Zevelekakis, peshkatar.
“Tetrodotoksina, që gjendet në organet e peshkut balonë, është një helm jashtëzakonisht i rrezikshëm nëse gëlltitet. Ajo shkakton arrest kardiak dhe ndalim të funksionimit të mushkërive”, tha Thekla Anastasiou, biologe detare në Qendrën Helenike për Kërkime Detare.
Sipas specialistëve, humbjet ekonomike shkojnë në rreth 8.500 euro në vit për çdo barkë peshkimi. Për këtë arsye, peshkatarët kërkojnë që shteti t’i subvencionojë për kapjen dhe eliminimin e tij, një skemë që tashmë po zbatohet në Qipro.
Ndërkohë, Kryqi i kuq grek ka publikuar video me udhëzime për ndihmën e parë në rast sulmi ndaj njerëzve nga ky lloj peshku, ndërsa alarmi për dëmet në peshkim u është përcjellë edhe organeve përkatëse të BE.
