Një gjykatë në Stamboll ka dhënë dënime me burg për pesë kryebashkiakë të opozitës, të gjithë pjesëtarë të Partisë Republikane Popullore (CHP), pasi ata u gjetën fajtorë për çështje që lidhen me korrupsionin.
Sipas raportimeve të mediave turke, masat e dënimit nisin nga pesë vjet dhe arrijnë në mbi 23 vjet heqje lirie.
Të lidhura
None found
Arrestimet e pesë kryebashkiakëve u kryen gjatë gjysmës së parë të vitit 2025, në kuadrin e hetimeve që kanë përfshirë shumë përfaqësues të CHP-së, forcës kryesore opozitare ndaj presidentit Rexhep Tajip Erdogan.
Dënimin më të rëndë e mori kryebashkiaku i Besiktasit, Riza Akpolat, i cili u dënua me 23 vjet e tre muaj burg. Sipas agjencisë shtetërore turke Anadolu, ai u shpall fajtor për korrupsion, pastrim parash dhe shkelje në prokurimin publik, por u lirua nga pretendimi për anëtarësim në organizatë kriminale.
Akpolat ka kundërshtuar akuzat, duke i deklaruar gjykatës se nuk është fajtor. Ai ka pohuar se nuk ekzistojnë prova të pakundërshtueshme kundër tij dhe se dosja mbështetet në deklarata shpifëse.
Nga ana tjetër, kryebashkiaku i qytetit juglindor të Adiyamanit u shpall i pafajshëm dhe iu hoqën akuzat. Një kryebashkiak tjetër, i zgjedhur në vitin 2024 për të drejtuar një prej zonave periferike më të populluara të Stambollit, mori tetë muaj burg me kusht për “shpërdorim të pushtetit nga pakujdesia”.
Në të njëjtën çështje, biznesmeni Aziz Ihsan Aktaş u lirua nga akuzat, ndonëse dëshmitë e tij kishin implikuar disa politikanë vendorë të opozitës. Fillimisht, ai akuzohej se drejtonte një organizatë të dyshuar kriminale dhe rrezikonte një dënim deri në 280 vjet burg.
Procesi gjyqësor është pjesë e një serie të gjerë hetimesh dhe arrestimesh kundër zyrtarëve të CHP-së. Që pas fitores së madhe të opozitës në zgjedhjet lokale të vitit 2024, dhjetëra kryebashkiakë të zgjedhur janë arrestuar ose janë larguar nga detyra në qytete të ndryshme të Turqisë.
Në epiqendër të tensioneve politike dhe gjyqësore ndodhet edhe kryebashkiaku i Stambollit, Ekrem Imamoglu, një nga figurat kryesore të opozitës dhe rival i mundshëm i Erdogan. Arrestimi i tij vitin e kaluar për akuza korrupsioni, të cilat ai i hedh poshtë, nxiti protesta të mëdha në Turqi.
Demonstrata masive pas arrestimit të Imamoglut u shoqëruan me një përshkallëzim të përplasjes mes qeverisë dhe opozitës, duke thelluar tensionin politik në vend.
